(VIDEO) Aksident në Slloveni, humbin jetën tre shtetas të Maqedonisë së Veriut
Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, një person i rritur dhe dy të mitur, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur dje në autostradën A1, në afërsi të Unecit, në Slloveni, kanë njoftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Sipas njoftimit, në aksident janë lënduar edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në automjet, të cilët gjithashtu janë shtetas të RMV-së.
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
“Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Lubjanë ka marrë njoftim zyrtar nga policia sllovene për një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur më 27 gusht 2026 në autostradën A1, pranë Unecit. Në aksident kanë humbur jetën tre persona, një i rritur dhe dy të mitur, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dy persona të tjerë që ndodheshin në automjet janë lënduar dhe gjithashtu janë shtetas të Maqedonisë. Rasti po trajtohet nga autoritetet kompetente policore në Koper”.
Sipas informacioneve të Lidhjes Auto-Moto të Sllovenisë, aksidenti ndodhi dje pasdite, kur një kamion, për shkak të një defekti, ishte ndalur në hapësirën e parashikuar për ndalim. Për arsye ende të panjohura, drejtuesi i automjetit ka goditur pjesën e pasme, në anën e majtë, të rimorkios.
Në momentin e aksidentit, në automjet ndodheshin pesë persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Mjeku ka konstatuar vdekjen e tre personave në vendin e ngjarjes. Një person i lënduar rëndë është transportuar me helikopter në spital, ndërsa drejtuesi i automjetit është dërguar me ambulancë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

