Vetëm disa shqiptarë në mesin e 310 të pranuarve në Shkollën e Mesme të Policisë
Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të 310 nxënësve të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë „7 Maj“, e cila rikthehet në funksion pas 26 vitesh. Në konkurs kishin aplikuar më shumë se 600 kandidatë, ndërsa fillimisht ishte paraparë pranimi i 200 nxënësve. Në fund, MPB vendosi t’i pranojë të gjithë 310 kandidatët që i kishin kaluar me sukses fazat e përzgjedhjes, raporton SHENJA.
Nga analiza e listës së publikuar, e cila përmban emrat, mbiemrat, emrat e prindërve dhe komunat e 310 të pranuarve, vërehet një përfaqësim shumë i ulët i emrave që duken shqiptarë.
Në listë identifikohen vetëm kandidatë me emra dhe mbiemra tipikisht shqiptarë Në mesin e emrave të tillë janë Rahim Hajdari, Besart Osmani, Besart Besimi, Medin Jusufi, Muzafer Mustafa dhe Jetish Memetaj. Këta emra janë të shpërndarë në pjesë të ndryshme të listës përfundimtare.
Për krahasim, pjesa dërrmuese e listës përbëhet nga emra maqedonas, ndërsa në listë shfaqen edhe emra që mund t’u përkasin komuniteteve të tjera. Përkatësia etnike e kandidatëve nuk është e shënuar në listën e publikuar nga MPB-ja.
Nxënësit e pranuar duhet të paraqiten më 1 shtator në orën 10:00 në Akademinë e Policisë në Idrizovë, së bashku me një prind, kujdestar ose përfaqësues ligjor, për nënshkrimin e marrëveshjes për shkollim. Ata do të qëndrojnë në Akademi deri më 4 shtator, ndërsa për shkak të akomodimit në konvikt duhet të marrin me vete veshje, veshje sportive dhe mjete personale të higjienës.
Rikthimi i Shkollës së Mesme të Policisë pas 26 vitesh është prezantuar nga MPB-ja si një mundësi për të rinjtë që duan ta vazhdojnë arsimin dhe karrierën në fushën e sigurisë.

