(VIDEO) Gjykata e Apelit mbështet lirimin e Gruevskit nga akuzat në çështjen Talir 2
Gjykata e Apelit në Shkup e hodhi poshtë si të pabazë ankesën e Prokurorisë Themelore Publike dhe e konfirmoi aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit për rastin “Talir 2”. Vendimi është marrë pas mbajtjes së një seance të mbyllur më 26 gusht 2026, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës penale dhe propozimit të Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit.
Sipas njoftimit, Gjykata vlerësoi se veprimet e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, në cilësinë e personit përgjegjës, kanë qenë brenda kompetencave të tij dhe se prokuroria nuk ka paraqitur prova se ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për financimin e partive politike.
Gjykata e Apelit
“Gjatë procedurës, Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, si palë e autorizuar e akuzës, nuk ka dëshmuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Kompania e Ndërtimit ‘Beton’ kishte cilësinë e subjektit i cili, në momentin e lidhjes së kontratave me partinë politike, ushtronte veprimtari publike në kuptim të ligjit të lartpërmendur. Prandaj, nuk ka ekzistuar ndalesë ligjore që ai të dhuronte mjete për partinë politike, dhe as detyrim që i akuzuari, si person përgjegjës i partisë politike, t’i kthente këto mjete”.
Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza e ngarkon ish liderin e saj dhe ish kryeministrin, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale.
Procesi gjyqësor për këtë rast nisi në vitin 2019, ndërsa në vitin 2022, gjykatësja e shpalli fajtorë Gruevskin duke e dënuar me gjashtë vite burg. Por, në vitin 2023 Apeli e anuloi aktgjykimin dhe e ktheu lëndën për rigjykim. /SHENJA/

