(VIDEO) Shënohet ditëlindja e Nënë Terezës
“Një jetë në shërbim të njerëzimit” – kjo ishte motoja nën të cilën në Shkup u shënua ditëlindja e Nënë Terezës. Në Muzeun e Artit Bashkëkohor, jeta dhe vepra e nobelistes shqiptare u rikthyen në vëmendje përmes një aktiviteti qendror, ku u bashkuan përfaqësues institucionesh dhe figura politike. Ndërsa i ftuar nderi ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Mesazhi i aktivitetit ishte i përqendruar në trashëgiminë e Nënë Terezës dhe vlerat e humanizmit që ajo la pas.
Hapjen zyrtare të manifestimit e bëri zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Europiane, Bekim Sali, i cili vlerësoi simbolikën e nisjes së punimeve të autostradës Shkup-Bllacë pikërisht në ditëlindjen e Nënë Terezës. Ai theksoi se kjo rrugë do të afrojë njerëzit dhe do të forcojë lidhjet mes dy vendeve, në frymën e humanizmit, dashurisë dhe respektit për tjetrin, që përfaqësonte Nënë Tereza.
Sinkron: Bekim Sali, zëvendëskryeministër i parë i Rrepublikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për Çështje Europiane 28:45
“Le ta kujtojmë sot nënë terëzën me krenari për origjinën e saj dhe për lidhjen e saj të pandashme me Shkupin, por le ta kujtojmë edhe me përgjegjësinë që të mos mbetemi vetëm tek krenaria. Sot Maqedonia e Veriut në përgjithësi, shkupi në veçanti dhe shqipëtarët nga gjithë bota e kujtojnë me nderim dhe krenari emrin dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Terezë, andaj le të jetë misioni Nënës Terezë frymëzim edhe i veprimit tonë”.
Në këtë ngjarje, i ftuar nderi ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili foli për figurën dhe trashëgiminë e Nënë Terezës.
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
“Sot më 26 gusht në ditën e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut jemi mbledhur në Shkup për të kujtuar një prej figurave më të njohura shqipëtare të shekullit 20. Një grua e cila nga ky qytet do të nisej drejt një rrugëtimi që do ta çonte shumë përtej vendlindjes së saj dhe do ta bënte të njohur në mbarë botën për humanizmin, dhe përkushtimin ndaj njeriut”.
Rrugëtimi i saj u soll në vëmendje edhe përmes librit “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale” të profesor doktor Skender Asanit, kushtuar udhës së Gonxhe Bojaxhiut nga Shkupi drejt figurës së Nënë Terezës universale. Ky botim sjell një vështrim mbi rrugëtimin e Gonxhe Bojaxhiut nga Shkupi dhe formimin e saj shpirtëror e njerëzor deri në shndërimin e saj në një nga figurat më të njohura të humanizmit universal.
Autori i librit, profesor doktor Skender Asani
“Sot në ditëlindjen e Gonxhes sonë nga Shkupi i saj, po e nisim edhe njëherë udhën e saj drejt botës. Nuk po promovojmë vetëm një libër dhe nuk po hapim vetëm një ekspozitë, sot po kthehemi tek burimi, tek koha kur bota ende nuk e njihte Nënë Terezën, por kur në shpirtin e Gonxhe Bojaxhiut kishte filluar të lindte misionarja që një ditë do ti përkiste mbarë njerëzimit”.
Nderkaq kjo ngjarje u mbyll duke rikujtuar mesazhin e humanizmit dhe dashurisë për njeriun që la pas Nënë Tereza, ndërsa manifestimi vijoi me hapjen e ekspozitës kushtuar jetës dhe veprës së saj, koktejin e organizuar me këtë rast dhe fotografinë e përbashkët të funksionarëve.
Anida Murati /SHENJA/

