Forcat izraelite bastisin ambientet e spitalit dhe sulmojnë pacientët në Bregun Perëndimor
Forcat izraelite bastisën të hënën në mbrëmje ambientet e një spitali në Betlehem, në Bregun Perëndimor të pushtuar, dhe sulmuan pacientë dhe vizitorë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, transmeton Anadolu.
“Forcat izraelite hynë me forcë në ambientet e spitalit Bethlehem Arab Society for Rehabilitation, terrorizuan pacientët dhe vizitorët dhe sulmuan disa prej tyre”, tha ministria në një deklaratë.
Ajo dënoi ashpër bastisjen dhe shkeljet e vazhdueshme izraelite ndaj spitaleve dhe qendrave mjekësore.
Ministria theksoi se spitalet dhe objektet shëndetësore mbrohen nga e drejta ndërkombëtare.
Ajo tha se bastisja ose sulmi ndaj këtyre objekteve apo rrezikimi i pacientëve dhe personelit mjekësor përbën “shkelje të rëndë të konventave dhe ligjeve ndërkombëtare”, duke shtuar se veprime të tilla kërcënojnë shërbimet shëndetësore dhe të drejtën e pacientëve për të marrë kujdes në mënyrë të sigurt.
Ministria “u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare shëndetësore dhe humanitare, veçanërisht Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të ndërhyjnë menjëherë për t’u dhënë fund shkeljeve të përsëritura ndaj spitaleve, qendrave mjekësore dhe punonjësve shëndetësorë”.
Ajo bëri gjithashtu thirrje për garanci që mbrojnë objektet mjekësore dhe sigurinë e pacientëve dhe personelit.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar është shënuar një përshkallëzim i sulmeve të forcave izraelite ndaj palestinezëve dhe pronës së tyre, veçanërisht që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor 2023.

