Rusia planifikon të ndërtojë infrastrukturë aviacioni dronësh në 35 rajone deri në vitin 2030
Zëvendësdrejtori i Agjencisë Federale të Transportit Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya), Andrey Potemkin, tha të hënën se deri në vitin 2030 pritet që 35 rajone ruse të pajisen me infrastrukturë për aviacionin pa pilot, transmeton Anadolu.
Duke folur në forumin e biznesit “Rostki: Rusia dhe Kina – Bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë” në qytetin rus të Kazanit, Potemkin tha se infrastruktura tashmë është krijuar në disa rajone, përfshirë rajonin e Tatarstanit, ndërsa po zhvillohet edhe në Lindjen e Largët të Rusisë.
“Deri në vitin 2030, planifikojmë të pajisim 35 rajone ruse me infrastrukturë për aviacionin pa pilot”, tha ai.
Sipas zyrtarit, infrastruktura mund të shërbejë si bazë për zhvillimin e asaj që ai e përshkroi si ekonomi të lartësive të ulëta, përfshirë përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot për qëllime civile.
Potemkin tha se në Rusi gjatë vitit 2025 u kryen 178.000 fluturime të mjeteve ajrore pa pilot, 20 për qind më shumë se në vitin 2024. Shifra përfshin fluturimet e mbështetura nga shërbimet e menaxhimit të trafikut ajror.
Forumi “Rostki” mbahet në Kazan nga 16 deri më 19 gusht dhe fokusohet në bashkëpunimin ekonomik dhe teknologjik ndërmjet rajoneve ruse dhe Kinës.

