(VIDEO) Deklarata e Vuçiqit për kishën, Mickoski: Nuk na duhet retorika e shekullit të kaluar
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk ka dashur sot të komentojë deklaratën e fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq të bërë në lidhje me kishën ortodokse maqedonase. Mickoski ka thënë shkurt se një komunikim i tillë i përket shekullit të kaluar. Më tej ai ka folur mbi rëndësine e kishës në identitein ortodoks maqedonas.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Për mua personalisht, Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit „Justiniana Prima“ është diçka që përbën pjesën më të ndritur të identitetit ortodoks maqedonas. Natyrisht, ne kemi edhe maqedonas që i përkasin besimeve të tjera, por si shtyllë e identitetit maqedonas, Kisha Ortodokse Maqedonase është diçka mbi gjithçka tjetër, për mua si njeri. Një deklaratë e tillë as nuk kam ndërmend ta komentoj dhe as nuk do të doja të hyja në ndonjë komunikim të përditshëm me shpërthime të diçkaje që i përket më shumë shekullit të kaluar sesa shekullit XXI”.
Vuçiç së fundmi gjatë një fjalimi publik, tha se, kisha serbe është një dhe e njëjta edhe në Shkup, sikurse në çdo vend tjetër të botës.
Ndaj kësaj deklarata paraprakisht ka reaguar edhe Kisha Ortodokse Maqedonase, duke deklaruar se është një kishë që përmbush misionin e saj shpirtëror dhe baritor ndaj të gjithë të krishterëve ortodoksë “në territorin e saj kanonik, pa asnjë kushtëzimi të përkatësisë së tyre kombëtare, politike, kulturore ose etnike”.
Teuta Buçi /SHENJA/

