(VIDEO) Punësimi i 549 policëve – Sipas BDI-së u pranuam më pak 40 shqiptarë, ndërsa sipas VLEN-it mbi 70
Partia opozitare shqiptare BDI, ka vazhduar me akuza ndaj qeverisë në përgjithsi, e ndaj VLEN në veçanti. Duke i përdorur shenjat matematikore të krahasimit, ata kësaj here janë përplasur për punësimet e fundit në Minsitrinë e Punëve të Brendshme. Sipas BDI-së, në konkursin e fundit janë pranuar 549 policët e rinj, ndërsa theksojnë se më pak se 40 janë shqiptarë. Kjo përbën sipas tyre, rreth 7 për qind të numrit të përgjithshëm. I njëjti disproporcion, shtojnëata, vërehet edhe gjatë shënimit të Ditës së Policisë, ku nga 30 policët e dekoruar si më të mirët, vetëm një ka qen shqiptar.
BDI
“Policia ishte një nga institucionet kryesore ku Marrëveshja e Ohrit solli ndryshim të thellë në përfaqësimin e shqiptarëve. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat u vendos si standard kushtetues pikërisht për të siguruar që institucionet shtetërore ta reflektojnë karakterin multietnik të vendit. Sot, 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, të dhënat nga MPB tregojnë një kthim prapa në këtë proces.Më pak se 40 shqiptarë nga 549 policë të rinj dhe vetëm një shqiptar nga 30 policë të dekoruar janë tregues konkretë të kësaj politike”.
Ndërkaq, kalkulatori i zv/ministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, nuk tregonë kështu. Ai thotë se në konkursin e fundit kanë qenë 496 punësime, prej të cilëve mbi 70 shqiptarë.
ASTRIT ISENI, ZV/MINISTËR I MPB-SË
“Por le ta kujtojmë edhe një fakt tjetër: kur BDI-ja ishte në pushtet dhe kishte edhe zëvendësministër në MPB, ministri i atëhershëm, në paraqitjet publike, ua mbyllte gojën dhe nuk i lejonte të flisnin. Sot, të njëjtët që atëherë heshtnin, na shesin moral e drejtësi. Le të vazhdojnë me gënjeshtra. Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi me fakte. Sepse përveç atyre që vetë u besojnë gënjeshtrave të tyre, vështirë se ka mbetur dikush tjetër që u beson”.
Pretendimet e BDI-së, Iseni i quan shpifje dhe gënjeshtra, duke theksuar se faktet i demantojnë ato njëra pas tjetrës. Ai akuzon BDI-në se çdo ditë del me pretendime të reja, ndërsa sipas tij, ato rrëzohen nga faktet.
Samir Mustafa /SHENJA/

