MF: 2.9 milionë euro përkrahje e re për investimet e kompanive vendase – mjetet nga huaja hungareze, nxitje e fuqishme për ekonominë
Ministria e Financave njofton se ka realizuar një transfer të ri prej 176.5 milionë denarësh, rreth 2.9 milionë euro, nga Buxheti qendror drejt Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut. Mjetet janë të destinuara për mbështetjen e projekteve investuese të kompanive vendase.
Me këtë transfer, mbështetja e përgjithshme e Qeverisë për kompanitë vendase arrin në 14.7 miliardë denarë, ose rreth 239 milionë euro. Sipas Ministrisë së Financave, kjo përbën një nxitje të rëndësishme për realizimin e investimeve private dhe për forcimin e aktivitetit ekonomik. Në Buxhet janë planifikuar gjithsej 250 milionë euro për këtë qëllim.
Mjetet do të plasohen përmes Bankës Zhvillimore dhe rrjetit të bankave afariste vendase te kompanitë përfituese. Financimi është siguruar nga Qeveria përmes Bankës Hungareze të Eksportit dhe Importit, me synim nxitjen e ciklit të investimeve në sektorin privat.
Kompanitë vendase do të mund të përfitojnë nga këto mjete me kushte të favorshme financimi, me normë interesi prej 1.95% dhe afat shlyerjeje deri në 15 vjet. Gjithashtu, parashihet periudhë grejs deri në tre vjet.
Nga Ministria e Financave vlerësojnë se financimi i tillë synon të lehtësojë realizimin e investimeve të reja dhe të kontribuojë në rritjen e aktivitetit të kompanive vendase dhe të ekonomisë në përgjithësi.

