QMK: Aktive dy zjarre në vende të hapura, janë shuar 12 deri në orën 18
Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njofton se deri në orën 18:00 janë regjistruar gjithsej 15 zjarre në hapësirë të hapur në disa komuna të vendit.
Sipas të dhënave të QMK-së, dy zjarre janë ende aktive, një është nën kontroll, ndërsa 12 zjarre janë shuar.
Zjarret aktive janë regjistruar në komunën e Makedonski Brodit, në lokalitetin Vidush, në afërsi të fshatit Dragov Dol, ku po digjet vegjetacion i ulët, pyll me trungje të ulëta dhe shkurre.
Një tjetër zjarr aktiv është në komunën e Novo Sellës, në afërsi të Novo Sellës, në malin Ograzhden. Sipas QMK-së, zjarri ka përfshirë një deponi, pyll të përzier të degraduar dhe vegjetacion të ulët.
Në Dellçevë, zjarri në deponinë e qytetit është nën kontroll.
Ndërkohë, gjatë ditës janë shuar zjarre në Vinicë, Shtip, Qendër Zhupë, Kërçovë, Lozovë, Kumanovë, Vrapçisht, Zhelinë, Tearcë, Gazi Babë dhe Saraj.
Zjarret e shuara kanë përfshirë kryesisht vegjetacion të ulët dhe mbeturina, ndërsa në disa raste janë raportuar edhe zjarre pyjore dhe zjarre në deponi.
QMK-ja vijon të monitorojë situatën në terren, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për ndërhyrje në rast të përhapjes së zjarreve.

