(VIDEO) Kërcënimet e Vuçiqit për Ibrin, Haxhiu kërkon reagim ndërkombëtar

(VIDEO) Kërcënimet e Vuçiqit për Ibrin, Haxhiu kërkon reagim ndërkombëtar

 

MARKETING

Description of image

Deklarata e fundit e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në lidhje me lumin Ibër, është pritur me reagime të ashpra nga ana e krerëve të shtetit të Kosovës. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se retorika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës mbetet agresore dhe e pandryshueshme, teksa e ka cilësuar këtë vend si burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen në rajon.

Edhe presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka quajtur shqetësim serioz dhe për t’u adresuar kërcënimin e presidentit të Serbisë, duke ju bërë thirrje diplomatëve të flasin për këtë kërcënim serioz të Serbisë ndaj Kosovës, në vendet ku shërbejnë.

Albulena Haxhiu, Presedente në detyrë e Kosovës

Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasojë shumë përtej një çështjeje teknike ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë. Për këtë arsye diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se idetë e tilla që ngjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”.

Reagimet vijnë pas deklaratës së Vuçiqit të bërë gjatë ditës së dielë, ku tha se po e shqyrtojnë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, për shkak të siç tha – qëndrimit të autoriteteve të Prishtinës ndaj popullit serb në Kosovë.

Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë

Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”.

Sipas Vuçiqit që nga viti 1985 “ekziston një ide për të ndryshuar rrjedhën” e lumit Ibër për nevojat e popullatës në qytezat afër liqenit, që si pasojë do ta thante Ujmanin, nga i cili furnizohet Kosova. Sipas tij, kjo mund të ndodhë me një vendim të Qeverisë serbe. /SHENJA/

 

MARKETING