ASH: Qeveria fshin shqiptarët dhe gjuhën shqipe nga spoti i pavarësisë

ASH: Qeveria fshin shqiptarët dhe gjuhën shqipe nga spoti i pavarësisë

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj spotit qeveritar të publikuar me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së shtetit, duke shprehur shqetësim për mungesën e gjuhës shqipe dhe përfaqësimit të shqiptarëve në material.

MARKETING

Description of image

Sipas ASH-së, është e papranueshme që një material zyrtar, i financuar edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të paraqesë një narrativë që nuk pasqyron përbërjen dhe kontributin e të gjithë qytetarëve të vendit.

“Është e papranueshme që një material zyrtar, i financuar edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të ndërtohet mbi një narrativë një etnike, duke krijuar përshtypjen sikur ky shtet i përket vetëm një komuniteti”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Partia thekson se shqiptarët kanë qenë pjesë e proceseve të rëndësishme politike dhe shoqërore të vendit, duke përmendur kontributin e tyre në ndërtimin e institucioneve demokratike, integrimin në NATO dhe procesin drejt Bashkimit Evropian.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Qeveria që ta tërheqë spotin dhe të përgatisë një material të ri, të cilin e konsideron më përfaqësues dhe gjithëpërfshirës.

“Njëkohësisht, shprehim keqardhje për heshtjen e përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, të cilët edhe kur preket drejtpërdrejt dinjiteti, identiteti dhe përfaqësimi i shqiptarëve, zgjedhin të heshtin”, thuhet më tej në reagim.

ASH përfundon se shteti u përket të gjithë qytetarëve dhe se kjo duhet të pasqyrohet edhe në simbolikën dhe materialet zyrtare.

MARKETING