(VIDEO) Pacienti i transportuar nga Turqia është në gjendje stabile
Drejtori i klinikës, Igor Merxhanovski, ka njoftuar se pacienti i cili u transportua nga Turqia pas një dëmtimi të rëndë të palcës kurrizore është në gjendje stabile. Ai bëri të ditur, se parametrat jetësorë janë mirë dhe se pacienti është jashtë rrezikut për jetën. Merxhanovski poashtu tha se pacienti është i vetëdijshëm, komunikues, merr frymë në mënyrë të pavarur dhe tashmë ka filluar të ushqehet. Gjithashtu, në njësinë e kujdesit intensiv po zhvillohet edhe terapi fizikale.
IGOR MERXHANOVSKI, QENDRA URGJENTE
“Pacienti është në gjendje të mirë. Parametrat jetësorë janë stabilë. Dje kishte temperaturë të ngritur, por të gjitha analizat e kryera rezultuan negative për infeksion. Me shumë gjasë, bëhet fjalë për një reagim ndaj transportit dhe operacionit të mëparshëm. Që nga sot, ai ka filluar të ushqehet dhe kemi përmirësim të gjendjes së përgjithshme”.
Sipas tij, gjatë javës së ardhshme pritet që pacienti të transferohet në Repartin e Traumatologjisë, ku do të vazhdojë rehabilitimin intensiv, dhe më pas në një qendër të specializuar për rikuperimin e mëtejshëm.
I pyetur nga gazetarët nëse gjatë kësaj vere janë regjistruar raste të lëndimeve të rënda si pasojë e kërcimeve në ujëra të cekëta, Merxhanovski tha se këtë vit në Klinikë nuk janë trajtuar pacientë me lëndime të tilla, përveç pacientit që u lëndua në Turqi. Ai theksoi se fushatat parandaluese për sjellje të sigurt te të rinjtë duhet të vazhdojnë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit si te fëmijët, ashtu edhe te prindërit.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

