(VIDEO) ISHP me rekomandime për mbrojtje shëndetësore
Moti përvëlues ka përfshirë vendin këtë fundjavë me temperatura deri në 40 gradë celsius. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informoi se është aktiv niveli portokalli i rrezikut nga temperatura të larta.Për këtë arsye, Instituti i Shëndetit Publik ka dalë me rekomandime konkrete për mbrojtën e punëtorëve dhe kategorive më të ndjeshme të qytetarëve.
Punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në hapësira të mbyllura me temperatura të larta janë ndër kategoritë më të rrezikuara gjatë valëve të të nxehtit. ISHP rekomandon masa të veçanta për mbrojtjen e tyre, veçanërisht kur puna përfshin ekspozim të drejtpërdrejtë në diell, temperatura të larta ose sforcim të madh fizik.
Sipas ISHP-së, punëdhënësit duhet ta përshtatin organizimin e punës me kushtet e motit. Në periudhën nga ora 11 deri në 17, kur ngarkesa termike është më e madhe, rekomandohen pushime më të shpeshta, rotacion i punëtorëve dhe, kur është e mundur, zhvendosja e aktiviteteve fizike në orët më të freskëta të ditës.
Punëtorët duhet të marrin masa mbrojtëse gjatë ditëve me temperatura të larta. Rekomandohet konsumimi i mjaftueshëm i ujit, shmangia e alkoolit dhe kafeinës së tepërt, si dhe përdorimi i veshjeve të lehta dhe mbrojtjes nga dielli.
Në rast dyshimi për goditje nga nxehtësia, ISHP rekomandon thirrjen e menjëhershme të ndihmës mjekësore në numrin 194 ose 112. Deri në ardhjen e ekipeve mjekësore, personi duhet të dërgohet në një hapësirë të freskët, të ftohet me ujë dhe kompresa të ftohta dhe të mbahet nën vëzhgim.
Ndërkaq, Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmëron se do të mbajë mot me diell dhe shumë të nxehtë, me vranësira të vogla deri në të moderuara gjatë ditës. Nesër, gjatë orëve të pasdites, do të ketë zhvillim lokal të vranësirave të paqëndrueshme, me reshje shiu dhe shfaqje të bubullimave.
/SHENJA/

