Shtatë raste të reja me virusin e Nilit Perëndimor, të gjithë pacientët janë nga Shkupi
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë javës së fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar shtatë raste të reja me virusin e Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV), duke e çuar në 20 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në vend.
Sipas Ministrisë, të gjitha rastet e reja janë nga rajoni i Shkupit. Dy raste janë regjistruar në komunat Kisella Vodë dhe Gazi Babë, ndërsa nga një rast në Ilinden, Butel dhe Aerodrom. Personat e infektuar janë të moshës nga 60 deri në 84 vjeç dhe të gjithë po trajtohen në spital.
Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile aktualisht janë të hospitalizuar 16 pacientë. Tek 15 prej tyre infeksioni është konfirmuar me analiza laboratorike, ndërsa për një rast ende priten rezultatet.
Nga pacientët e shtruar, tre ndodhen në gjendje kritike dhe janë të intubuar. Sipas autoriteteve shëndetësore, bëhet fjalë për persona të moshuar me sëmundje shoqëruese, ndërsa pacientët e tjerë janë në gjendje stabile dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.
Rasti i parë me virusin e Nilit Perëndimor në vend u raportua më 15 maj 2026 në Veles.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të respektojnë masat parandaluese, duke theksuar se mbrojtja nga pickimet e mushkonjave është mënyra më efektive për të parandaluar infektimin.
Autoritetet rekomandojnë shmangien e qëndrimit në ambiente të hapura në orët e agimit dhe të muzgut, kur mushkonjat janë më aktive, përdorimin e repelentëve dhe vendosjen e rrjetave mbrojtëse në dyer dhe dritare. Po ashtu, qytetarët këshillohen të largojnë rregullisht ujërat e ndenjura nga oborret, ballkonet dhe tarracat, pasi ato krijojnë kushte të favorshme për shumimin e mushkonjave.

