Kryeministri pakistanez zhvillon bisedime me homologun e tij saudit në Mekë
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif filloi sot bisedimet me Princin e Kurorës saudit Mohammed bin Salman, i cili është edhe kryeministër i vendit të tij, në Pallatin Al-Safa në qytetin e shenjtë të Mekës, transmeton Anadolu.
Sharif shoqërohej nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ishaq Dar, marshalli dhe shefi i Shtabit të ushtrisë, Asim Munir dhe ministri i Mbrojtjes, Khawaja Muhammad Asif, njoftoi “Radio Pakistani”.
Sharif dhe Princi Mohammed pritej të diskutonin mënyrat për të forcuar bashkëpunimin dypalësh si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare. Kryeministri pakistanez mbërriti në Arabinë Saudite të enjten për bisedime të fokusuara në bashkëpunimin dypalësh dhe zhvillimet rajonale.
Ai u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Mbretit Abdulaziz në Xheda nga Princi Saud bin Mishaal bin Abdulaziz, zëvendës guvernator i rajonit të Mekës. Ai kreu umren në Mekë më herët gjatë ditës.
Vizita vjen ndërsa Islamabadi vazhdon përpjekjet ndërmjetësuese midis Uashingtonit dhe Teheranit.
Në qershor, Katari iu bashkua Pakistanit në ndërmjetësimin e bisedimeve midis SHBA-së dhe Iranit, duke çuar në nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi më 18 qershor dhe nisjen e negociatave drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Negociatat më vonë ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me sigurinë detare dhe lirinë e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit, megjithëse zyrtarë nga Irani, Omani dhe SHBA-ja sinjalizuan së fundmi përparim drejt zgjidhjes së çështjeve të mbetura.

