(VIDEO) Përsëritet historia, tabelat e reja në tre gjuhë, por jo në gjuhën shqipe!
Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore vazhdon me të njëjtin avaz. E përjashton gjuhën shqipe nga tabelat rrugore të vendosura në vendkalimet kufitare. Tabela rrugore e vendosur në pikën kufitare Tabanoc ku thuhet “Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë së Veriut” është në tre gjuhë, maqedonisht, anglisht dhe frengjisht por jo dhe në shqip.
Ky veprim ka nxitur reagime të ashpra në opinion ndërsa ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, e ka cilësuar këtë si një veprim shqetësues që prek barazinë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në shtet.
“Sot, pa fijë shqetësimi u vendosën tabela shtetërore pa gjuhë shqipe në Tabanoc. Ndoshta dikush mendon se po e shoh këtë si mundësi për opozitarizëm. Sinqerisht, sot nuk kam as vullnet e as dëshirë për politikë. Jam jashtëzakonisht i dëshpëruar dhe i shqetësuar sepse gjuha shqipe nuk është e një partie. Është e jona. Është ajo që na tregon se edhe ne i përkasim këtij shteti, se edhe ky shtet është i yni”.
Ai është drejtuar edhe qytetarëve shqiptarë që kanë mbështetur VLEN-in si dhe qytetarëve maqedonas duke i ftuar të mos heshtin përballë këtij veprimi. Në ndërkohë zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti pak më parë publikoi një video ku tregon një tabelë në këtë lokacion e cila ka mbishkrim edhe në gjuhën shqipe.
Megjithatë kjo tabelë në këtë lokacion është vendosur vite më parë kur shteti ndryshoi emrin. Ndërkaq kjo e cila u vendos së fundmi është tjetër.
Kjo nuk është hera e parë që gjuha shqipe përjashtohet nga mbishkrimet e tabelave rrugore. Në vend janë regjistruar disa raste, ndërsa shumë tabela nuk figurojnë aspak në gjuhën shqipe./TVSHENJA

