(VIDEO) 10 vjet nga vërshimet në Hasanbeg, infrastruktura u përmirësua, dhimbja mbeti
Ishte 6 gushti i vitit 2016, nata kur reshjet e shiut që zakonisht sjellin fresk në kulmin e verës, atë natë sollën tragjedi. Reshjet u shndërruan në rrebesh, e rrugët u bënë lumenjë. U deshën disa orë që Hasanbegu, Stajkovca, Straçinca, Haraçinës dhe Rashtakut të përjetonin tragjedinë më të madhe të jetës së tyre, sepse vërshimet nuk morën vetëm shtëpi, vetura e objekte, ata morën edhe jetë njerëzish. Gjithësej humbën 22 jetë njerëzish. Ndërsa kujtimi më i hidhur mbeti zhdukja e Elifes 16 muajshe, e cila nuk u gjet më kurrë.
Sot 10 vite pas katastrofës natyrore që goditi këto zona të Shkupit, është përmirësuar infrastruktura e cila ishte shkatërruar atë natë, por nuk arriti të zbehet dhimbja e trishtimi që përjetuan njerëzit, të cilët humbën më të dashurit e tyre.
Gjatë asaj natë dhe ditët në vijim u angazhuan policia, ushtria, zjarrfikësit, ekipet e ndihmës së shoejtë dhe shumë qytetarë vullnetarë. Gjithashtu u përdorën mjete të rënda për pastrimin e baltës dhe hapjen e kanaleve. Ndërsa ndihma humanitare erdhi nga individ, shoqata, qytete e shtete të tjera.
Natën e kobshme poashtu ka pasur edhe pasoja të shumta materiale, ku u dëmtuan shumë shtëpi, rrugë, objekte, biznese e makina, drunjë të rënë, serrat e mbjellura në këtë zonë si dhe dëme tjera. Mbi 5000 familje kishin pësuar dëme të mëdha, ose shtëpitë u ishin bërë të pabanueshme, ndërsa mbi 600 hektarë tokë bujqësore u shkatërrua tërësisht.
Natën e 6 gushtit, mbi një mijë qytetarë ishin evakuuar, nga këto zona. Ndërkaq, më datë 8 gusht, u shpall ditë zie.
Përndryshe, gjatë 24 orëve në 6 gushtin e vitit 2016 në Shkup kishin rënë 92,9 litra shi në një metër katror, ndërsa gjatë dy orëve të para nga fillimi i motit të lig kishte pasur mbi 800 vetëtima.
Emine Ismaili /SHENJA/

