Kandidati progresiv El-Sayed fiton garën e demokratëve në Miçigan
Abdul El-Sayed ka fituar nominimin e Partisë Demokratike në Miçigan për Senatin amerikan, duke mposhtur përfaqësuesen Haley Stevens në një garë të ngushtë paraprake, raportoi Associated Press, transmeton Anadolu.
El-Sayed do të përballet me ish-përfaqësuesin republikan Mike Rogers, i cili kandidoi pa kundërshtar, në zgjedhjet e mesmandatit më 3 nëntor. Vendi në Senat është i lirë pas tërheqjes së senatorit Gary Peters dhe konsiderohet vendimtar për shpresat e demokratëve për të rimarrë kontrollin e Senatit.
Stevens më vonë tha se do ta mbështesë atë në zgjedhjet e përgjithshme.
“Ne fillojmë të riparojmë marrëdhëniet që nesër”, u tha El-Sayed mbështetësve të tij përpara se AP-ja të shpallte fituesin e garës.
Ish-drejtori i shëndetësisë së qarkut Wayne zhvilloi fushatë me premtimet për “Kujdes shëndetësor për të gjithë”, reformën e financimit të fushatave dhe ndërprerjen e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin. Ai u mbështet nga senatori Bernie Sanders dhe përfaqësuesja Alexandria Ocasio-Cortez.
Senatori Chris Van Hollen tha se rezultati “duhet të jetë një thirrje zgjimi për establishmentin demokrat të Washingtonit”.
Stevens, kongresiste me katër mandate e mbështetur nga Peters, e përqendroi fushatën e saj te industria prodhuese dhe argumentoi se ajo ishte në një pozicion më të mirë për të mposhtur Rogersin.
Fushata e saj gjithashtu përfitoi nga dhjetëra miliona dollarë shpenzime nga jashtë, përfshirë atë që u raportua si investimi më i madh ndonjëherë i Komitetit Amerikan të Çështjeve Publike të Izraelit (AIPAC) në një garë të vetme.

