Qeveria demanton LSDM-në: Kontrata me “Kozhuvçanka” për ujin në Gostivar u dha përmes tenderit
Qeveria sot doli me demant në lidhje me kumtesën e LSDM-së, në të cilën partia opozitare pretendon se kontrata me “Kozhuvçanka” për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Gostivarit është lidhur përmes negociatave të drejtpërdrejta, pa shpallje publike. Qeveria thekson se kjo është një përpjekje për të manipuluar publikun dhe dezinformim dhe se procedura e negociatave është kryer nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, dhe kontrata i është dhënë kompanisë “Kozhuvçanka” përmes një tenderi.
“Lidhur me pretendimet e pavërteta të bëra sot nga Lidhja Socialdemokrate, Qeveria i demanton në mënyrën më të ashpër përpjekjet për manipulimin e opinionit me dezinformata të pasakta dhe tërësisht të sajuara. Bëhet fjalë për gënjeshtra të paskrupullta dhe të turpshme. Në mungesë të temave dhe argumenteve reale, LSD-ja edhe një herë shërbehet me gënjeshtra dhe shtrembërim të fakteve, me shpresën se do ta mashtrojë opinionin”, theksohet në reagim.
Qeveria mbetet konsekuente ndaj obligimit të marrë që qytetarët e Gostivarit do të furnizohen me ujë të sigurt për pije derisa ekspertët dhe institucionet kompetente të konfirmojnë zyrtarisht se uji nga sistemi i ujësjellësit është i rregullt për përdorim.
“Ky premtim përmbushet plotësisht dhe nuk do të vihet në pikëpyetje”, theksojnë nga Qeveria.
Sa i përket furnizimit me ujë të ambalazhuar, sqaron Qeveria, është e saktë se procedura me negocim është zhvilluar nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, i cili siguron ujë falas për qytetarët, ndërsa kontratën përmes tenderit e ka fituar kompania „Kozhuvçanka“.
“Megjithatë, po ashtu është fakt se një shishe uji prej 1,5 litrash, e cila në shitjen me pakicë kushton të paktën 25 denarë, Qeveria e furnizon me çmim prej 12,5 denarësh. Kjo është e mundur sepse kompania ‘Kozhuvçanka’ merr pjesë në këtë furnizim me kontributin e saj, me qëllim që t’u ndihmojë qytetarëve dhe institucioneve në kushtet e gjendjes së krizës”, thuhet në reagim.
Në të shtohet se faktet janë të qarta dhe lehtësisht të verifikueshme, ndërsa përpjekjet për shtrembërimin e tyre nuk do ta ndryshojnë të vërtetën.
“Përballë fakteve bie çdo manipulim. Apelojmë që edhe kur nuk ndihmojnë në asnjë mënyrë, të paktën LSDM-ja të ndalojë së gënjyeri në mënyrë të paskrupullt”, shtojnë nga Qeveria.
LSDM më parë përmes një kumtese deklaroi se qeveria e Mickoskit, përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, lidhi një kontratë për blerjen e ujit të pijshëm me vlerë 100.000 euro, dhe se kontrata, për shkak të krizës, u lidh me negociata të drejtpërdrejta, pa njoftim publik. Partia opozitare thotë se sipas informacioneve në dispozicion, kontrata është lidhur me “Kozhuvçanka”, kompani në pronësi të kryetarit të Komunës së Kavadarit, dhe procedurën e ka kryer drejtori i SHPPP-së, Ivica Tomovski.

