Rusia intensifikon sulmet ndaj Ukrainës, 14 të vrarë në rajonin e Kievit
Një valë e re sulmesh ruse me raketa balistike dhe dronë ka goditur Kievin dhe rajonin përreth gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës, duke lënë të paktën 14 të vdekur dhe 22 të plagosur, në një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj kryeqytetit ukrainas këtë vit.
Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, sulmet nisën menjëherë pas mesnatës, ndërsa alarmet ajrore zgjatën për më shumë se një orë. Breshëria e raketave shkaktoi dëme të mëdha në ndërtesa banimi, depo dhe infrastrukturë civile.
Tkachenko bëri të ditur se nëntë persona humbën jetën në distriktin Boryspil, katër në Bucha dhe një në Fastiv. Ndërkohë, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi se disa persona mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja, ndërsa katër nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektivat e goditura ishin qendra logjistike dhe furnizimi me armë në Kiev dhe rajonin përreth, si edhe tre anije mallrash pranë portit të Odesës, për të cilat pretendon se transportonin pajisje ushtarake.
Autoritetet ukrainase akuzuan Rusinë se po godet qëllimisht civilët dhe infrastrukturën civile, ndërsa Moska i mohon këto pretendime.
Sulmet vijnë në një periudhë kur luftimet janë përshkallëzuar nga të dyja palët. Ukraina ka shtuar sulmet me dronë ndaj territorit rus, duke goditur infrastrukturën energjetike dhe depot e kompanisë ruse Wildberries, ndërsa Rusia ka intensifikuar bombardimet ndaj qyteteve ukrainase.
Në të njëjtën kohë, Kievi u ka bërë sërish thirrje aleatëve perëndimorë që të furnizojnë Ukrainën me më shumë sisteme dhe raketa interceptuese Patriot për të përballuar sulmet balistike ruse.

