Kuvajti diskuton me vendet arabe ndërtimin e një tubacioni nafte për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit
Kuvajti po zhvillon bisedime me Arabinë Saudite dhe vende të tjera arabe për ndërtimin e një tubacioni të ri për eksportin e naftës bruto që do të anashkalojë Ngushticën e Hormuzit, tha ministri kuvajtian i Naftës, transmeton Anadolu.
Ministri i Naftës, Tariq Sulaiman Al-Roumi, i tha agjencisë japoneze të lajmeve Kyodo se një nga rrugët e propozuara do të lidhte Kuvajtin përmes Arabisë Saudite me Detin e Kuq ose Omanin, ndërsa një tjetër do ta lidhte vendin me portin Fujairah të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Al-Roumi tha se projekti do të zhvillohet përmes konsultimeve me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera.
“Ne aktualisht po kërkojmë opsionin më të mirë dhe më me kosto efektive”, tha ai, duke e përshkruar projektin si “madhor”.
Al-Roumi tha se eksportet e naftës së Kuvajtit kanë “ndaluar plotësisht” për shkak të mbylljes efektive të Ngushticës së Hormuzit nga Irani, duke shtuar se rindërtimi i disa rezervuarëve të naftës të sulmuar do të kërkojë “të paktën një vit”.
Kuvajti kishte qenë një nga furnizuesit kryesorë të naftës bruto për Japoninë përpara se SHBA-ja dhe Izraeli të nisnin luftën kundër Iranit në fund të shkurtit.
Al-Roumi tha se Kuvajti, i cili ndodhet thellë në Gjirin Persik, nuk mund të eksportojë naftë për sa kohë që rruga ujore strategjike mbetet e bllokuar. “Për sa kohë që ngushtica mbetet e bllokuar, eksportet e naftës janë zero”, tha ai.
Duke e përshkruar Japoninë si një nga “klientët strategjikë” të Kuvajtit për naftë bruto dhe produkte të rafinuara, Al-Roumi tha se po zhvillohen gjithashtu diskutime për rritjen e rezervave strategjike në vendet mike.
Ai dënoi sulmet me raketa dhe dronë të Iranit ndaj Kuvajtit dhe vendeve të tjera të Gjirit, duke thënë se Kuvajti nuk ka kryer asnjë sulm ndaj Iranit.
“Të gjitha objektet tona jetike, përfshirë sektorin e naftës, mbrohen nga mbrojtja ajrore”, tha ai, duke shtuar se Kuvajti planifikon të forcojë më tej kapacitetet e tij të mbrojtjes ajrore pas krizës.

