Rikthehet debati për pandeminë dhe vaksinat, Kennedy: Izolimi na bëri dëm

Rikthehet debati për pandeminë dhe vaksinat, Kennedy: Izolimi na bëri dëm

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka rikthyer debatin për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara menaxhuan pandeminë Covid-19, duke drejtuar kritika ndaj ish-drejtorit të Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, Anthony Fauci.

MARKETING

Description of image

Në një intervistë për CNN, Kennedy fajësoi Faucin për qasjen e ndjekur gjatë pandemisë dhe përsëriti disa pretendime të diskutueshme për vaksinat, fruthin dhe virusin RSV, të cilat janë kundërshtuar nga ekspertë të shëndetësisë.

Deklaratat e tij erdhën pak ditë pas dëshmisë së Faucit në Kongres, ku ish-zyrtari i shëndetësisë iu referua Amendamentit të Pestë më shumë se 100 herë, duke refuzuar t’u përgjigjej disa pyetjeve që mund ta vendosnin në rrezik ligjor.

Seanca u shoqërua me kritika nga republikanët për rolin e tij gjatë periudhës së pandemisë.

Kennedy mbrojti gjithashtu ish-presidentin Donald Trump për masat e marra gjatë Covid-19, duke thënë se izolimet kishin shkaktuar dëme të mëdha në vend.

“Trump donte t’i përfundonte izolimet. Mendoj se dëmin më të madh vendit tonë ia shkaktuan lockdown-et”, u shpreh Kennedy.

Megjithatë, ekspertët kanë kujtuar se vendimet për kufizimet u morën kryesisht nga autoritetet shtetërore dhe lokale, në një periudhë kur spitalet dhe njësitë e kujdesit intensiv përballeshin me presion të madh nga numri i pacientëve.

Debati u zgjerua edhe te vaksinat. Kennedy tha se nuk ka vënë në dyshim efektivitetin e vaksinës MMR kundër fruthit, por deklaratat e tij të mëparshme për mbrojtjen nga vaksinat kanë sjellë kritika nga komuniteti shkencor.

Ekspertët e shëndetësisë bëjnë të ditur se dy dozat e vaksinës MMR ofrojnë një nivel të lartë mbrojtjeje ndaj fruthit dhe shpërthimet lidhen kryesisht me komunitete ku normat e vaksinimit janë të ulëta.

Kennedy ngriti gjithashtu pretendime për virusin RSV dhe përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë, por këto qëndrime janë kundërshtuar nga të dhënat shkencore. RSV është njohur prej dekadash, ndërsa lidhja mes paracetamolit dhe autizmit nuk është provuar si marrëdhënie shkak-pasojë nga komuniteti mjekësor.

Për vaksinat kundër Covid-19, Kennedy kërkoi më shumë prova për përfitimet e tyre te fëmijët.

Ndërkohë, të dhënat e institucioneve shëndetësore tregojnë se vaksinat kanë ulur rrezikun e sëmundjes së rëndë, shtrimit në spital dhe komplikacioneve, ndërsa efektet serioze anësore kanë qenë të rralla.

MARKETING