Marrëveshja për fazën e dytë të planit të armëpushimit në Gaza “mbetet në letër”

Marrëveshja për fazën e dytë të planit të armëpushimit në Gaza “mbetet në letër”

Autoriteti Palestinez tha se marrëveshja për zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza “mbetet në letër”, ndërsa Izraeli vazhdon sulmet vdekjeprurëse ndaj palestinezëve, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

“Njoftimi i marrëveshjes nuk çoi në një ndalim gjithëpërfshirës të agresionit apo në mbrojtjen e popullit palestinez”, tha zëdhënësi i Autoritetit Palestinez, Nabil Abu Rudeineh, në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare e lajmeve Wafa.

Të paktën 18 palestinezë u vranë në një seri sulmesh izraelite në të gjithë Rripin e Gazës të dielën, pavarësisht armëpushimit në fuqi që nga 10 tetori 2025. Dhjetë persona të tjerë u vranë nga zjarri izraelit në enklavë një ditë më herët.

“Izraeli vazhdon luftën e tij gjithëpërfshirëse kundër popullit palestinez pavarësisht marrëveshjes së shpallur”, tha Abu Rudeineh duke shtuar se marrëveshja “mbetet në letër” ndërsa vrasjet vazhdojnë në terren.

Abu Rudeineh paralajmëroi kundër shpërfilljes nga Izraeli të përpjekjeve ndërkombëtare që synojnë ndalimin e gjenocidit të tij kundër palestinezëve. Ai bëri thirrje për ndalimin e sulmeve izraelite dhe shkatërrimit të kampeve të refugjatëve dhe fshatrave palestineze.

“Kjo vjen si pjesë e luftës gjithëpërfshirëse të Izraelit që synon praninë palestineze dhe çështjen e refugjatëve”, tha ai.

Abu Rudeineh përsëriti thirrjen palestineze ndaj komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndërmarrë hapa urgjentë për ta detyruar Izraelin të zbatojë menjëherë fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit.

Ai theksoi nevojën për ndalimin e operacioneve ushtarake në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor si dhe sigurimin e mbrojtjes ndërkombëtare për palestinezët.

“Mosndëshkimi i vazhdueshëm i Izraelit e inkurajon atë të vazhdojë shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, shtoi ai.

“Nuk do të ketë siguri apo stabilitet në rajon përveçse duke i dhënë fund pushtimit, ndalimit të agresionit dhe hapjes së rrugës drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme bazuar në rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar dhe Iniciativën Arabe të Paqes si dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet”, tha Abu Rudeineh.

Të premten, Bordi i Paqes dhe presidenti amerikan Donald Trump njoftuan një marrëveshje për zbatimin e fazës së ardhshme të armëpushimit në Gaza ndërsa bordi tha se Hamasi kishte pranuar një udhërrëfyes të detajuar. Izraeli nuk ka bërë koment zyrtar për propozimin.

Izraeli ka vrarë mbi 73 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 174 mijë të tjerë në një luftë brutale në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit në fuqi që nga 10 tetori 2025, Izraeli ka vazhduar sulmet në të gjithë enklavën, duke vrarë 1.250 palestinezë dhe duke plagosur 4.110 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

MARKETING