(VIDEO) Punësimi i 600 specializantëve të rinj, Beqiri: Përparësi do të kenë spitalet jashtë Shkupit
“Premtimi për punësimin e 600 specializantëve privatë në shëndetësinë publike po realizohet”. Deputetja e VLEN, Kaltrina Beqiri deklaroi se, pas punësimit të grupit të parë prej 300 specializantësh, Qeveria ka miratuar vendimin edhe për punësimin e 300 të tjerëve. Sipas saj, ky hap do të forcojë sistemin publik shëndetësor, veçanërisht spitalet jashtë Shkupit, të cilat prej vitesh përballen me mungesë të kuadrit mjekësor. Ajo theksoi se kjo është një mundësi që 300 mjekët e rinj, të cilët e kanë nisur specializimin me shpenzimet e tyre, të bëhen pjesë e sistemit publik dhe ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në vendin e tyre.
Kaltrina Beqiri, deputete
“Një nga premtimet tona kryesore ishte punësimi i 600 specializantëve privat në shëndetësinë publike, tani me vendimin e Qeverisë për punësimin e grupit të dytë prej 300 specializantësh, ky premtim po përmbushet. Grupi i parë prej 300 specializantësh tashmë është punësuar, ndërsa vazhdon procesi për punësimin e grupit të dytë. Synimi është që ky proces të përfundojë deri në fund të këtij viti”.
Ajo tha se prioritet do të kenë spitalet jashtë Shkupit dhe specializimet me mungesën më të madhe të mjekëve, me qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
Kaltrina Beqiri, deputete
“Në të njejtën kohë, spitalet që prej vitesh përballen me mungesë specializantësh, do të përforcohen me kuadrin që u nevoitet, përparësi do të kenë spitalet e përgjithshme dhe klinike jashtë Shkupit, si dhe specializimet ku mungesa e mjekëve është më e madhe. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe qyteteve të tjera”.
Ajo vlerëson se nuk mjafton vetëm të ndërtojnë spitale dhe të blejnë paisje, pasi spitalet kanë nevojë për mjek, prandaj krahas investimit historik prej 74 milion eurosh në spitalin klinik të Tetovës dhe hapjes së rrugës për ndërtimin e spitalit të ri në Kërçovë, thekson se po investojnë edhe tek njerëzit që kujdesen për shëndetin dhe shpëtojnë jetë.
Anida Murati /SHENJA/

