Imerlije Saliu kërkon sqarim nga Ilire Dauti për deklaratën në Kuvend: Çfarë nënkuptuat me “gjuhën arabe”?
Deputetja e koalicionit VLEN, Imerlije Saliu, ka kërkuar sqarim publik nga deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, lidhur me një koment të bërë gjatë seancës së Kuvendit, ku iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, me fjalët: “Shpresoj të mos vazhdosh të lexosh në gjuhën arabe edhe më tutje”.
Saliu thekson se gjatë mandatit të saj si deputete ka shmangur reagimet ndaj kolegëve, duke preferuar të flasë për çështje me interes publik, por këtë rast e konsideron të tillë që kërkon një sqarim.
“Për gati dy vite, sa ushtroj mandatin e deputetes, nuk kam zgjedhur të reagoj ndaj veprimeve individuale të kolegëve. Kam preferuar të flas për fenomene dhe çështje me interes publik, pa i personalizuar debatet, dhe këtë qasje do ta vazhdoj edhe në të ardhmen.
Megjithatë, ka raste kur nuk mund të jemi indiferent dhe kur vlerësoj se heshtja nuk është zgjidhje. Ky është një prej tyre.
Prandaj pres që kolegia të sqarojë publikisht se çfarë ka dashur të nënkuptojë me shprehjen drejtuar kryetarit të Kuvendit: ‘Shpresoj të mos vazhdosh të lexosh në gjuhën arabe edhe me tutje’.
Neve, si kolegë në Kuvend, por edhe opinionit publik, i detyrohet një sqarim. A ishte kjo një bindje personale, një figurë retorike apo diçka tjetër?
E thënë në atë mënyrë, deklarata lë hapësirë të perceptohet si fyese për shumë njerëz, për të cilët ka rëndësi të veçantë. Pikërisht për këtë arsye, pres një sqarim publik, në mënyrë që të mos mbeten dilema rreth domethënies së saj”, ka shkruar deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu.

