(VIDEO) Klekovski: Nuk dua të jap afate për ujin e pijshëm në Gostivar
Uji në Gostivar ende nuk nuk mund të përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit. Që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të heqë ndalesën për përdorimin e ujit të pijshëm nga ujësjellësi i Gostivarit, thotë ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, rezultatet duhet të dalin të rregullta tre ditë rresht.
Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë
“Duam të jemi maksimalisht të sigurt që të lejojmë që uji të përdoret për pirje dhe përgatitjen e ushqimit. Testet po bëhen vazhdimisht dhe do të vazhdojnë gjatë fundjavës. Mostrat po merren çdo ditë nga më shumë pika përdoruesish. Kur rezultatet e tre testeve të njëpasnjëshme të jenë të rregullta, AUV do të mund të heqë ndalimin e përdorimit të ujit të pijshëm. Ajo që është e rëndësishme është që uji tani të mund të përdoret për qëllime të tjera përveç pirjes dhe përgatitjes së ushqimit të freskët. Pra, të paktën kjo pjesë është zgjidhur”.
Në 24 orët e fundit janë paraqitur edhe 73 qytetarë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji në Gostivar. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalin e përgjithshëm “Ferid Murat” janë evidentuar 45 raste të reja. Prej tyre, 26 pacientë janë kontrolluar në Repartin e Infektologjisë, dhe janë hospitalizuar. Ndërsa në Repartin e Pediatrisë janë bërë 18 kontrolle. Krahas dy pacientëve të hospitalizuar në Infektologji, dy të hospitalizuar janë edhe në Pediatri.
Një ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pas klorizimit të ujit në Gostivar kanë zbuluar se është paraqitur një bakterie e re, çka e prolongon mundësinë që ujin në Gostivar të mund ta përdorin edhe për pije. Deri tani ai mund të përdoret për nevoja teknike, por jo edhe për pije dhe përgatitje të ushqimit.
Emine Ismail /SHENJA/

