Asllani rikthehet në radarët e Barcelonës, katalanasit e duan në sulm
Barcelona vazhdon kërkimet për një sulmues qendre dhe emri i Fisnik Asllanit është rikthyer sërish në krye të listës së dëshirave të klubit katalanas.
Sulmuesi 23-vjeçar, i cili la përshtypje me paraqitjet e tij te TSG Hoffenheim sezonin e kaluar, konsiderohet prej kohësh një profil që i përshtatet filozofisë së lojës së trajnerit Hansi Flick. Interesimi i Barcelonës për futbollistin me origjinë shqiptare nuk është i ri, por zhvillimet e fundit kanë bërë që ai të rikthehet në fokus.
Fillimisht, drejtuesit e klubit katalanas u përqendruan te transferimi i Julian Alvarez. Edhe pse raportohet se ishte arritur një mirëkuptim me sulmuesin argjentinas, Atletico Madrid nuk ka qenë i gatshëm të negociojë shitjen e një prej yjeve të saj te një rival direkt në La Liga.
Një tjetër alternativë ishte Eli Junior Kroupi i Bournemouth. Barcelona paraqiti dy oferta për talentin francez, të dyja me vlerë nën 100 milionë euro, por klubi anglez i refuzoi.
Situata ndryshoi pasi Kroupi pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbë, një dëmtim që do ta mbajë jashtë fushave për disa muaj. Si rezultat, Barcelona e ka rikthyer vëmendjen te Fisnik Asllani, duke e konsideruar sërish një nga objektivat kryesorë për repartin ofensiv.
Megjithatë, transferimi i tij nuk pritet të jetë i lehtë. Përveç negociatave me Hoffenheimin, Barcelona do të përballet edhe me konkurrencën e fortë të RB Leipzig, që gjithashtu synon të sigurojë shërbimet e sulmuesit.
Sipas raportimeve, vetë Asllani është i hapur për një transferim në “Camp Nou”, por mbetet të shihet nëse Barcelona do ta fitojë garën për firmën e tij gjatë kësaj vere.

