Tërmeti i fuqishëm në Japoni, numri i viktimave shkon në 28!
Qeveria japoneze tha të enjten se numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm që goditi Japoninë juglindore të martën është rritur në 28 , por shtoi se numri i të vdekurve përfshin “njerëz, vdekjet e të cilëve po hetohen për të përcaktuar nëse ato u shkaktuan nga” tërmeti.
Qindra ekipe shpëtimi janë ende duke punuar rreth 48 orë pas tërmetit me magnitudë 7.1 ballë të shkallës Rihter pardje, me shpresën për të gjetur të mbijetuar, veçanërisht në rrënojat e një qendre tregtare në Kasima , Prefektura Kumamoto.
Tërmeti shkaktoi shkatërrime të mëdha në ishullin Kyushu . Shtëpitë u shkatërruan, urat u dëmtuan, shpërthyen zjarre dhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë u ndërpre për mijëra familje.
Pas tërmetit, u regjistruan një seri prej dhjetëra lëkundjesh të mëvonshme, duke përkeqësuar lodhjen e banorëve, të cilët po durojnë edhe vapën, me termometrat që pritet të arrijnë të paktën 35 gradë Celsius gjatë ditës.
Njerëzit në qendrën tregtare u evakuuan shpejt kur ndodhi tërmeti, por rreth 50 minuta më vonë , ndërtesa u dëmtua rëndë kur ndodhi një shpërthim masiv, me një numër të panjohur punonjësish që ishin ende brenda .
Ndërkohë, pesë të vdekur janë konfirmuar dhe katër persona rezultojnë të zhdukur në fabrikën Nippon Paper Industries në qytetin Yatsushiro , një pjesë e së cilës u shemb, tha një zyrtar qeveritar për AFP-në.
Sipas autoriteteve , pasditen e djeshme, rreth 31,200 familje dhe objekte vazhduan të ishin pa energji elektrike, ndërsa afërsisht 84,000 prona ishin pa ujë .
Pamjet e transmetuara nga stacionet televizive japoneze tregojnë njerëz që presin në radhë për të blerë ujë të pijshëm ose për t’u furnizuar me karburant.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) vlerësoi se tërmeti ishte me magnitudë 6.8 ballë, një vlerësim shumë më i ulët se ai japonez.

