Joshua e mposht Prengën me nokaut në raundin e dytë

Joshua e mposht Prengën me nokaut  në raundin e dytë

Anthony Joshua arriti një fitore dramatike dhe spektakolare ndaj Kristian Prengës, duke triumfuar me nokaut teknik në raundin e dytë në duelin kryesor të mbrëmjes së boksit të zhvilluar në Xhedah të Arabisë Saudite.

MARKETING

Description of image

Përballja nisi në mënyrën më befasuese të mundshme. Vetëm pak sekonda pas gongut hapës, Prenga goditi Joshuan me një uppercut të fuqishëm, duke e rrëzuar ish-kampionin britanik në tapet. Edhe pse Joshua u ngrit shpejt, ai u shfaq i lëkundur gjatë pjesës së mbetur të raundit të parë, duke lënë përshtypjen se boksieri shqiptar kishte marrë plotësisht kontrollin e meçit.

Ishte një nga momentet më të vështira në karrierën e Joshua-s, ndërsa publiku në arenë dhe komentatorët mbetën të habitur nga dominimi i hershëm i Prengës.

Megjithatë, në raundin e dytë britaniku reagoi me përvojën e tij. Joshua ndryshoi ritmin e sfidës, filloi të kontrollonte distancën me jab-in dhe të godiste me saktësi me të djathtën. Me kalimin e minutave ai fitoi besim, ndërsa Prenga humbi iniciativën dhe u detyrua të tërhiqej.

Me rreth 40 sekonda të mbetura në raundin e dytë, Joshua shpërtheu me një seri goditjesh të fuqishme, duke e rrëzuar Prengën në tapet. Boksieri nga Mirdita nuk arriti të ngrihej brenda numërimit të gjyqtarit, duke i dhënë fund duelit me fitore të Anthony Joshua-s me nokaut teknik.

Pavarësisht humbjes, Kristian Prenga la një përshtypje të fortë me paraqitjen e tij në raundin e parë, ku ishte shumë pranë një prej surprizave më të mëdha të karrierës së Joshua-s.

MARKETING