(VIDEO) LSDM: Paratë për festën e Pavarësisë të investohen në sistemin e ujësjellësit

(VIDEO) LSDM: Paratë për festën e Pavarësisë të investohen në sistemin e ujësjellësit

Anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Jon Frçkoski, akuzoi sot Qeverinë dhe kryeministrin Hristijan Mickoski për, siç u shpreh ai, dështim në menaxhimin e krizës me ujin e pijshëm në disa qytete dhe vendbanime të vendit. Në një konferencë për shtyp, Frçkoski deklaroi se uji nuk është më i përshtatshëm për konsum në shtatë vendbanime, duke përmendur Gostivarin, Vallandovën, Krushevën, Pllasnicën, Prilepin, Leshkën dhe Pregllovën. Sipas tij, ekziston rreziku që ndotja të përhapet edhe në zona të tjera që furnizohen nga burimi Studençica, përfshirë Kërçovën, Makedonski Brodin dhe Dollnenin.

MARKETING

Description of image

JON FRÇKOSKI, LSDM

“Uji tashmë nuk është i pijshëm në shtatë vendbanime. Pyetja është cili qytet do të jetë i radhës. Nevoja më themelore e qytetarëve për ujë të pastër dhe të shëndetshëm është vënë në rrezik.”

Frçkoski kritikoi edhe shpenzimet e planifikuara për organizimin e festimeve të Ditës së Pavarësisë, duke vlerësuar se në kushtet e krizës me ujin nuk është e arsyeshme të ndahen 5 milionë euro për këngëtarë dhe artistë. LSDM kërkon që këto mjete të ridrejtohen për investime në infrastrukturën e ujësjellësit, përfshirë impiante për pastrimin e ujit, stacione filtrimi, rezervuarë, rinovimin e rrjetit të ujësjellësit dhe instalime të reja.

JON FRÇKOSKI, LSDM

“Mënyra më patriotike për ta shënuar Ditën e Pavarësisë është të sigurohet ujë i shëndetshëm për qytetarët e Maqedonisë. Kërkojmë që këto 5 milionë euro të ridrejtohen dhe, në vend që të shpenzohen për këngëtarë të shtrenjtë, të përdoren për ujë të pastër për qytetarët. Impiante për pastrimin e ujit, stacione filtrimi, rezervuarë uji, rinovim i tubacioneve të ujësjellësit dhe instalime të reja”.

LSDM akuzoi Qeverinë se nuk ka qenë transparente lidhur me shumën që planifikon të shpenzojë për organizimin e festimeve, duke pretenduar se këto mjete do të ishte më e arsyeshme të investoheshin në zgjidhjen e problemeve me furnizimin me ujë. /SHENJA/

 

MARKETING