(VIDEO) Së shpejti lëshohen në përdorim 10 km nga autostrada Kërçovë-Ohër
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski tha se së shpejti pritet të hapen për qarkullim edhe 10 kilometra të tjera të autostradës Kërçovë – Ohër, që janë segmenti më i ndërlikuar, ku përfshihen tunelet dhe galeritë. Gjatë inspektimit të punimeve që po zhvillohen në këtë autostradë, Nikolloski tha se, ndërtimi i autostradës Ohër–Kërçovë po zhvillohet me dinamikë të përshpejtuar, përkatësisht, sipas tij, dy galeri janë përfunduar plotësisht, ndërsa në të tretën puna po vazhdon intensivisht. Ndërkaq, paralelisht po punohet për stabilizimin e terrenit, përfundimin e urave, si dhe të dy tubave të tuneleve.
Aleksandar Nikolloski, minister i Transportit
“Shifrat janë vërtet mbresëlënëse. Vetëm këto tri galeri pas meje kanë një gjatësi prej 1 kilometër e 100 metra, ndërsa tunelet do të jenë më të gjatat në Maqedoni – njëri tub do të jetë 2 kilometra, ndërsa tjetri 2 kilometra e 100 metra. Siç thashë, këto do të jenë tunelet më të gjata në vend, ndërsa galeritë e këtij lloji ndërtohen për herë të parë jo vetëm në Maqedoni, por në të gjithë rajonin”.
Kujtojmë se, ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër filloi para më shumë se dymbëdhjetë viteve. Gjatësia e trasës është 57 kilometra, ndërsa afati fillestar për përfundim ishte qershori i vitit 2018. Megjithatë, së fundmi kryeministri Hristijan Mickoski premtoi se autostrada Kërçovë – Ohër do të përfundojë deri në tremujorin e parë të vitit 2027, që i bie nëntë vite pas afatit fillestar.
Teuta Buçi /SHENJA/

