(VIDEO) Filipçe: Sistemi shëndetësor është në kolaps, ujë i ndotur në disa qytete

(VIDEO) Filipçe: Sistemi shëndetësor është në kolaps, ujë i ndotur në disa qytete

Mes helmimit masiv në Gostivar dhe pasojave të stuhisë së fuqishme, që vunë në provë sistemin shëndetësor, lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, vlerëson se shëndetësia po shkon drejt kolapsit, ndërsa qytetarët kanë mbetur pa mbrojtje.
Sipas Filipçës , Qeveria e drejtuar nga Hristijan Mickoski nuk po përmbush detyrën themelore të shtetit për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Ai tha se ngjarja në Gostivar nuk mund të trajtohet si një rast i veçuar, pasi, sipas tij, ajo dëshmon për probleme sistemike, mungesë efikasiteti dhe mosfunksionim. Ai akuzoi se, nën drejtimin e Hristijan Mickoski-t dhe ekipit të tij, sistemi shëndetësor në vend po shkatërrohet.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-së
“Ajo që ndodhi në Gostivar nuk është vetëm një rast i izoluar. Bëhet fjalë për shenja të qarta të mosfunksionimit dhe joefikasitetit të sistemit. Sistemi shëndetësor po shpërbëhet nën drejtimin e Hristijan Mickoskit dhe ekipit të tij. Funksioni themelor i sistemit shëndetësor është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, por ky funksion është dëmtuar rëndë”.
Përveç situatës me ujin e ndotur në Gostivar, kreu i LSDM-së, publikoi një skandal të ri, gjithashtu të lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm, këtë herë për një mostër të marrë në Spitalin për Sëmundje të Mushkërive në Leshkë. Sipas Filipçes, dokumentet zyrtare të siguruara, tregojnë se në këtë spital është konstatuar ujë i pijshëm i pasigurt për shëndetin, ndërsa institucionet kompetente nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Filipçe theksoi se raporti i Qendrës për Shëndet Publik, i hartuar pas analizës së mostrës së ujit të marrë në spital, evidenton devijime serioze nga parametrat e lejuar.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-së
“Raporti për analizën e sigurisë së ujit është për një mostër të marrë në Spitalin për Sëmundje të Mushkërive në Leshkë. Data e përfundimit të analizës është 13 maji. Numri i përgjithshëm i baktereve koliforme në 100 mililitra ujë është 51. Mostra është marrë nga një çezmë brenda spitalit ku trajtohen pacientë. 51 baktere koliforme në 100 mililitra ujë. Në raport thuhet qartë se uji nuk i plotëson standardet e cilësisë së kërkuara për konsum. Bëhet fjalë për spitalin në Leshkë, në fund të muajit maj, ndërsa askush nuk ka reaguar. A e dinë këta njerëz çfarë po bëjnë? Çfarë lloj menaxhimi i një institucioni është ky?”.
Filipçe vlerësoi se një papërgjegjshmëri e tillë nga autoritetet, përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING

Description of image

MARKETING