(VIDEO) Pas vlerësimit të dëmeve, Qeveria do të nisë procedurat për dëmshpërblim

(VIDEO) Pas vlerësimit të dëmeve, Qeveria do të nisë procedurat për dëmshpërblim

Dy ditë pas stuhisë së fuqishme që përfshiu vendin, e cila la pas qytetarë të lënduar dhe dëme të mëdha materiale, institucionet vazhdojnë të evidentojnë pasojat, ndërsa ekipet në terren punojnë për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e gjendjes në normalitet. Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se Qeveria do t’i dëmshpërblejë qytetarët që pësuan dëme nga moti i keq në Shkup. Mickoski  theksoi se do të ndërmerren të gjitha procedurat e nevojshme për kompensimin e dëmeve. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë pësuar dëme nga stuhia t’i paraqesin ato pranë institucioneve kompetente, në mënyrë që komisionet përkatëse të dalin në terren, të konstatojnë gjendjen faktike dhe të përgatisin vlerësimin e dëmeve. Sipas Mickoskit, pas përfundimit të këtij procesi, Qeveria do të bëjë specifikimin e dëmeve dhe do të nisë procedurën për dëmshpërblimin e qytetarëve të prekur.

MARKETING

Description of image

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSTËR

“Sa i përket dëmshpërblimit të qytetarëve që pësuan dëme nga moti i keq, mund të them se komunat dhe institucionet në kuadër të tyre formojnë komisione. Qytetarët që kanë pësuar dëme duhet t’i paraqesin ato pranë këtyre komisioneve. Komisionet do të bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe më pas do t’i dorëzojnë raportet në Komitetin për Vlerësimin e Dëmeve, i cili do t’ia përcjellë Qeverisë, ndërsa ne, në përputhje me ligjin dhe praktikën, do të ndërhyjmë dhe do t’i dëmshpërblejmë të gjithë qytetarët që kanë paraqitur dëmet e tyre”.

Ndër komunat më të prekura nga stuhia ishte edhe Komuna e Çairit. Kryetari i saj, Izet Mexhiti, deklaroi se pjesa më e madhe e pasojave tashmë janë sanuar, ndërsa Komisioni kompetent po vijon me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara. Ai theksoi se, në koordinim me Qytetin e Shkupit, do të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur.

IZET MEXHITI, KRYETAR I ÇAIRIT

“Po sanohet situata me drunjët që kanë rrënë dhe po ashtu kemi formuar edhe komisionin për vlersimin e dëmeve në komunën e Çairit. Dje kemi pasur edhe mbledhje koordinative me kryetarin e qytetit të Shkupit dhe gjitha komunat e qytetit, të cilët kemi dalur me një qëndrim unanim, ku bashkë qyteti dhe komunat do t’iu ndihmojnë qytetarëve prë sanimin e dëmeve, aty ku ka”.

Kujtojmë se sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si pasojë e stuhisë që ndodhi të martën,  janë raportuar 145 automjete të dëmtuara, 46 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara dhe 7 semaforë të dëmtuar, ndërsa  po ashtu, dhjetëra qytetarë kanë  pësuar lëndime.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING