(VIDEO) Komisioni për Sëmundje Malinje pa asnjë shqiptarë, reagon BDI
Ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka formuar Komisionin Profesional për shqyrtimin e rasteve të pacientëve me sëmundje malinje në Klinikën Universitare të Hematologjisë në Shkup. Në përbërjen e këtij komisioni nuk është emëruar asnjë mjek shqiptar. Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri Klekovski më 21 korrik 2026, komisioni përbëhet nga pesë anëtarë dhe pesë zëvendësanëtarë, gjithsej dhjetë persona. Për kryetar të komisionit është emëruar prof. dr. Zllate Stojanovski.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për formimin e këtij komisioni, duke e kritikuar faktin se në përbërjen e tij nuk është përfshirë asnjë mjek shqiptar.
Sipas BDI-së, ky vendim nuk është një rast i izoluar, por pjesë e, siç e cilëson partia, një politike dyvjeçare të spastrimit institucional dhe përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore.
BDI
“Kjo nuk është rastësi. Është politikë. Është dëshmi se Qeveria VMRO-VLEN po ndërton institucione monoetnike, ndërsa VLEN, në vend që të mbrojë përfaqësimin e shqiptarëve, hesht dhe legjitimon çdo vendim diskriminues”.
Në reagimin e saj, BDI thekson se gjatë dy viteve të fundit shqiptarët janë larguar nga pozitat vendimmarrëse dhe janë përjashtuar nga bordet, komisionet, këshillat drejtues dhe organet e tjera shtetërore. Sipas BDI-së, kësaj liste tashmë i është shtuar edhe Komisioni Profesional që shqyrton rastet e pacientëve me sëmundje malinje. BDI kërkon rishikimin e menjëhershëm të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe rikthimin e parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore.
/SHENJA/

