(VIDEO) Rokas: Sundimi i ligjit është kusht kyç për integrimin evropian
Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, ka deklaruar se BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe se nuk ka asnjë dyshim që vendi shihet si një anëtar i ardhshëm i Unionit. Megjithatë, në seancën e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, kushtuar aspekteve kryesore të procesit të integrimit evropian, Rokas tha se “Sundimi i ligjit është kusht kyç për integrimin e suksesshëm evropian”.
MIHALIS ROKAS, AMBASADORI I BE-SË
“Mund të them pa asnjë hezitim se vendi ka treguar se ka kapacitet për të zbatuar reforma. Dua të përshëndes punën e bërë në Kuvend, veçanërisht në miratimin e ligjeve. Natyrisht, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian, besojmë se mund t’ju përgatisim me sukses për anëtarësimin në BE. Parakusht për hapjen e kapitujve negociues është përmbushja e kritereve të rrepta, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe zbatimi i tyre i plotë. Këto janë procedura standarde që vlejnë për të gjitha vendet kandidate”.
Ndërkaq, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili poashtu mori pjesë në këtë seancë, theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti më i lartë strategjik i vendit dhe se reformat në sundimin e ligjit duhet të shoqërohen me rezultate konkrete dhe të matshme. Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë ndër vendet më të suksesshme në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke rikujtuar se deri më tani janë siguruar 142,1 milionë euro nga Plani i Rritjes, ndërsa së fundmi është dorëzuar edhe kërkesa e katërt për financim, me 22 hapa reformues të realizuar.
BEKIM SALI, ZV/KRYEMINISTËR
“Raporti i Komisionit Europian për sundimin e ligjit në vitin 2026 është tregues i rëndësishëm i përparimit tonë në klasterin e 1- vlerat themelore. Ministria për Çështje Europiane koordinon përgaditjen e kontributin nacional dhe siguronë komunikimin e plotë dhe faktografik me Komisionin Europian. Mesazhi i raportit është i qartë, janë ndërmarrë hapa ligjor dhe institucional, por ligjet duhet të shoqërohen me zbatim të konsekuentë dhe rezultate konkrete”.
Para të pranishmëve foli edhe Arbana Pasholli, deputete e partisë opozitare BDI, e cila tha se avancimi i këtij procesi kërkon përgjegjësi institucionale, dialog të sinqertë dhe vendime që i shërbejnë interesit strategjik të shtetit. Ajo kritikoi drejtuesit e shtetit, duke thënë se me deklaratat e tyre po krijojnë te qytetarët një ndjenjë pesimizmi dhe bindjen se vendi nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
ARBANA PASHOLLI, DEPUTETE E BDI-SË
“Kur përfaqësuesit e qeverisë që mbajnë përgjegjësi për procesin e eurointegrimeve flasin me pesimizëm, ose krijojnë përshtypjen se procesi është i pamundur, ata nuk dëmtojnë vetëm përceptimin e qytetarëve, por dobësojnë edhe pozitën negociuse të vet shtetit. Bartësit e këtij procesi duhet të jenë zëri më i fortë i prespektivës europiane, jo zëri që ushqen rezervë, rezistencë apo relativizim”.
Pasholli deklaroi se procesi euro integrues nuk zhblloket me deklarata, por me vendime politike. Fronti Europian, siç tha deputetja , mbetet i përkushtuar për të mbështetur çdo hap që e afron vendin drejt Bashkimit Evropian, me bindjen se perspektiva evropiane është në interes të të gjithë qytetarëve.
Samir Mustafa /SHENJA/

