Spitali i Gostivarit siguron autobot me ujë për pacientët dhe stafin
Për shkak të problemeve me furnizimin me ujë në qytet, Spitali i Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar ka ndërmarrë masa për të siguruar kushte normale funksionimi dhe për të përmbushur nevojat e pacientëve dhe stafit.
Nga administrata e spitalit njoftojnë se që nga mbrëmja e kaluar në oborrin e institucionit është vendosur një autobot me ujë, i siguruar në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike të Shërbimeve “Tetova”. Ky autobot do të shërbejë për nevoja higjienike dhe teknike të pacientëve dhe punonjësve, me qëllim ruajtjen e funksionimit normal të spitalit.
“Autoboti do të përdoret nga pacientët dhe stafi për nevoja higjienike dhe teknike, duke mundësuar kushte sa më të mira për vazhdimin e punës së pandërprerë të spitalit”, thuhet në njoftimin e administratës.
Një ditë më parë, drejtori i spitalit, Emri Bajrami, bëri të ditur se në të gjitha repartet është shpërndarë ujë i pijshëm në shishe për pacientët, duke u siguruar atyre qasje në ujë të sigurt për konsum.

