(VIDEO) Humbin jetën tre shtetas të Kosovës, përfunduan në rrugë pa krye
“Ky është segmenti rrugor ku përfundon autostrada pa asnjë sinjalizim paralajmërues. Drejtuesit e automjeteve që nuk e njohin këtë rrugë mund të vazhdojnë lëvizjen duke menduar se autostrada vazhdon, ndërsa në fakt ajo mbaron papritur. Pikërisht mungesa e tabelave orientuese dhe e sinjalizimit të duhur dyshohet se ka qenë një nga faktorët që çuan në aksidentin tragjik, ku humbën jetën tre shtetas të Kosovës”.
Pas aksidentit tragjik, në këtë pjesë të rrugës ende shiheshin gjurmë që tregojnë për përplasjen. Pjesë të veturës së dëmtuar, mes tyre edhe një retrovizor i thyer, kanë mbetur pranë rrugës, ndërsa në asfalt dallohen shenja frenimi që tregojnë për përpjekjen për ta ndalur automjetin në momentet e fundit.
Duke qenë se ky segment përfundon papritur dhe nuk ka dalje, çdo gabim në orientim mund t’i ekspozojë automjetet ndaj rrezikut të daljes nga rruga dhe rënies në humnerë. Pikërisht në këtë pjesë të rrugës humbën jetën tre shtetas të Kosovës, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit mbeten objekt i hetimeve.
Detaje për ngjarjen ka dhënë Ministria e Punëve të Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Menjëherë pas denoncimit për personat e zhdukur, ekipet e MPB Shkup të NJPB Çair, Qendër dhe Njësiti i Policisë Intervenuese kanë kryer kërkime përmes kamerave të sistemit “Qyteti i Sigurt” për të përcaktuar itinerarin e lëvizjes së personave të zhdukur dhe automjetit që kanë përdorur, ishte ngritur edhe një dron mbi këtë itenerar lëvizjeje, për shkak se është konstatuar se automjeti nuk e ka kaluar kufirin shtetëror përmes PKK Bllacë”
Ndërkaq Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, ka njoftuar se ambasada është angazhuar për kthimin në Kosovë të trupave të pajetë të tre personave që humbën jetën në aksidentin e rëndë pranë pikëkalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë. Po ashtu edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen tragjike të tre shtetasve të Kosovës.
Anida Murati /SHENJA/

