(VIDEO) Dimitrievski: Nuk kemi hyrë në politikë për të qenë zgjatim i askujt
Lëvizja ZNAM zhvilloi në Tetovë panel-diskutimin në kuadër të karvanit “Evropiane ZNAM, E ardhme Evropiane, Maqedoni Evropiane”. Kryetari i partisë, Maksim Dimitrievski, tha se ZNAM mbetet në qeveri me synimin për të qenë faktor reformues, por edhe korrigjues kur proceset, sipas tij, nuk zhvillohen në drejtimin e duhur.
Maksim Dimitrievski, ZNAM
“Nuk kemi hyrë në politikë për të qenë zgjatim i askujt, por për të ndërtuar një subjekt politik që do të angazhohet për një shtet me rend, sistem dhe përgjegjësi. Një Maqedoni evropiane është një vend ku qytetarët kanë besim te institucionet, të rinjtë e shohin të ardhmen në vendin e tyre, ndërsa vendimet merren mbi bazën e parimeve dhe jo të interesave. ZNAM nuk është projekt i një individi, por një lëvizje e njerëzve që besojnë se Maqedonia mund dhe duhet të bëhet një shtet më i mirë”
Ai theksoi se pjesëmarrja e ZNAM-it në qeveri bazohet në përgjegjësinë për zbatimin e reformave, duke shtuar se partia do të reagojë sa herë që, sipas vlerësimit të saj, cenohen interesat shtetërore dhe parimet mbi të cilat është themeluar. /SHENJA/

