(VIDEO) Klekovski: Në 24 orët e fundit 260 pacientë kërkuan ndihmë mjekësore

(VIDEO) Klekovski: Në 24 orët e fundit 260 pacientë kërkuan ndihmë mjekësore

 

Mbi 200 qytetarë në ditë kërkojnë ndihmë mjekësore në Gostivar, ku po dyshohet se mijëra qytetarë janë helmuar nga uji për pije. Derisa autoritetet kanë zgjeruar hetimet për shkaqet e helmimit të qytetarëve, ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, pas vizitës që pati në spitalin e Gostivarit njoftoi se në 24 orët e fundit janë bërë 100 ndërhyrje në repartin e Pediatrisë dhe 160 në repartin Infektiv. Ai theksoi se pacientët paraqiten kryesisht me diare, të vjella dhe shqetësime në stomak, ndërsa një pjesë e tyre kanë edhe temperaturë.

Sasho Klekoski, ministër i Shëndetësisë

Pjesa më e madhe e pacientëve trajtohen për dehidrim me infuzione, vitamina dhe terapi simptomatike, pas së cilës lirohen për trajtim në kushte shtëpie. Aktualisht, vetëm tre fëmijë janë mbajtur nën vëzhgim 24-orësh për të monitoruar zhvillimin e gjendjes së tyre shëndetësore. Me situatën po përballet plotësisht spitali i Gostivarit dhe i gjithë stafi mjekësor. Pra, të gjitha barnat e nevojshme i sguron spitali dhe gjithë personelin e siguron po ky spital”.

Klekovski u bënë apel qytetarëve të asaj ane që të plotësojnë anketat epidemiologjike, sepse deri tani i kanë plotësuar vetëm 19 qytetarë, në mënyrë që t’u ndihmojnë institucioneve në gjetjen e shkaqeve të helmimit.

Sasho Klekoski, ministër i Shëndetësisë

Qytetarët nuk janë vetëm të Gostivarit, ka edhe në Çegrani, Çajla, Debreshi dhe Vrutoku. Disa kanë ujësjellës të veçantë, disa prej tyre thonë se kanë pirë ujë nga dy-tre ujësjellës të ndryshëm. Mendoj se e kemi të nevojshme të marrim më shumë anketa epidemiologjike. Prandaj apeloj se na duhen më shumë anketa epidemiologjike, që ta gjejmë shkakun dhe ti lidhim gjetjet e mundëshme”.

Ndërkohë, pista e hetimit të shkaqeve vetëm ka shkuar duke u komplikuar, sepse qytetarët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë të vendbanimeve të ndryshme dhe kanë pirë ujë nga disa lloje të ujësjellësave.

Ai njoftoi se Qendra për Shëndet Publik dhe Instituti për Shëndet Publik me urdhër të Prokurorisë Publike të Gostivarit kanë marrë mostra të ujit. Por, njëkohësisht janë duke u hetuar edhe opcione të tjera. Ministri njoftoi se po kryhen edhe analiza laboratorike të koprokulturave, ndërsa është zgjeruar testimi edhe për adenovirus, rotavirus, baktere, parazitë dhe metale të rënda, me qëllim përjashtimin e të gjitha shkaqeve të mundshme.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING