Gjorgjievski: Gostivari nuk është vetëm, Shkupi dërgon ujë të pijshëm për banorët

Gjorgjievski: Gostivari nuk është vetëm, Shkupi dërgon ujë të pijshëm për banorët

Rasti në Gostivar, ku një numër i madh qytetarësh kanë shfaqur simptoma të helmimit dhe ku dyshohet se shkak mund të jetë uji i ndotur i pijshëm nga ujësjellësi i qytetit, ka shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët, raporton SHENJA.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka bërë të ditur se në këto momente nevojitet reagim i shpejtë, humanizëm dhe solidaritet.

Sipas njoftimit të tij, Qyteti i Shkupit ka dërguar menjëherë cisterna me ujë të pijshëm për banorët e Gostivarit, me qëllim që t’u sigurohet ujë i sigurt për konsum gjatë periudhës kur vazhdojnë analizat dhe deri në tejkalimin e plotë të situatës.

Gjorgjievski, në cilësinë e kryetarit të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (ZELS), u ka bërë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që, sipas mundësive të tyre, të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për Gostivarin.

“Vetëm të bashkuar dhe solidarë mund ta përballojmë më lehtë këtë gjendje serioze dhe t’u japim qytetarëve sigurinë se nuk janë vetëm”, ka theksuar ai.

Kryetari i Shkupit ka shprehur shqetësim të thellë për situatën dhe ka kërkuar nga institucionet kompetente që të përcaktojnë në mënyrë të plotë dhe transparente shkaqet e rastit. Ai ka theksuar se, nëse konstatohen parregullsi, duhet të ketë përgjegjësi.

“Qyteti i Shkupit dhe unë si kryetar do të qëndrojmë me gostivarasit derisa të zgjasë kjo situatë. Ndihma dhe mbështetja jonë do të jenë të vazhdueshme deri në tejkalimin e plotë të saj”, ka shkruar Gjorgjievski.

Ai e ka përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Në vështirësi njihet njerëzia. Gostivari nuk është vetëm!” /SHENJA/

 

 

MARKETING