BDI: Mimoza Musa- simboli i hipokrizisë së VLEN-it: babai- i pari, barazia gjinore-ZERO

BDI: Mimoza Musa- simboli i hipokrizisë së VLEN-it: babai- i pari, barazia gjinore-ZERO

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj nënkryetares së VLEN-it, Mimoza Musa, duke e akuzuar për mospërmbushje të premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore për meritokraci, transparencë dhe përfaqësim më të madh të grave në institucionet publike.

Në një komunikatë për media, BDI pretendon se retorika e VLEN-it para zgjedhjeve nuk përputhet me veprimet pas marrjes së pushtetit, duke e cilësuar këtë si një “mashtrim elektoral”.

“Kur VLEN kërkonte vota, Mimoza Musa fliste për meritokraci, transparencë dhe barazi gjinore. Sot, qytetarët shohin se realiteti është ndryshe”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas kësaj partie, shembulli kryesor i mospërputhjes mes deklarimeve dhe praktikës është emërimi i babait të Mimoza Musës, Arif Musa, në Bordin e Bankës Zhvillimore. BDI e ka kritikuar këtë emërim duke e paraqitur si rast të nepotizmit dhe si kundërshtim me parimin e meritokracisë që, sipas saj, VLEN e kishte promovuar gjatë fushatës.

“Edhe pse premtohej punësim dhe avancim mbi bazën e meritës, sot kemi emërime të familjarëve në poste publike”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Kritikat e partisë opozitare janë drejtuar edhe ndaj përfaqësimit të grave në qeverisje. BDI thekson se VLEN, e cila sipas saj udhëheq gjashtë ministri, nuk ka siguruar asnjë post ministror për një grua gjatë rikonstruimit të Qeverisë.

“Mimoza Musa, si nënkryetare e VLEN-it, nuk reagoi për mungesën e grave në përbërjen qeveritare dhe nuk mbrojti parimet për të cilat kishte folur më herët”, thuhet më tej në reagim.

BDI rikujtoi edhe premtimet zgjedhore të VLEN-it për një kuotë prej 40 për qind të grave në pozitat e emëruara, përparësinë e gjinisë më pak të përfaqësuar në rast të pikëve të barabarta në konkurse, si dhe punësimin mbi bazën e meritës dhe transparencës.

Sipas BDI-së, këto zotime nuk janë realizuar, duke pretenduar se në vend të tyre janë bërë emërime familjare dhe është lënë pas dore përfaqësimi gjinor.

“Faktet, sipas nesh, flasin më shumë se deklaratat: emërime familjare, mungesë e grave në poste vendimmarrëse dhe largim nga premtimet për transparencë”, përfundon reagimi i BDI-së.

MARKETING