(VIDEO) Epidemi në Gostivar, për 3-4 ditë rreth 1200 pacientë të helmuar nga uji
Për katër ditë, në spitalin e Gostivarit kanë kërkuar ndihmë 1200 qytetarë si pasojë e përhapjes së një epidemie, konfirmojnë nga Spitali i Gostivarit. Shumica e pacientëve njoftojnë ata, paraqiten me simptoma të ngjashme, si: të vjella, diarre, dhimbje stomaku, temperaturë të lartë, plogështi dhe shqetësime të tjera gastrointestinale. Numri më i madh i pacientëve me këto simptoma është evidentuar në Repartin e Infektologjisë, Repartin e Pediatrisë dhe Njësinë e Urgjencës.
SPITALI I PËRGJITHSHËM “DR. FERID MURAT” GOSTIVAR
“Gjatë këtyre ditëve, në Spitalin e Pergjithshem ‘Dr. Ferid Murad’ – Gostivar janë ekzaminuar rreth 1.000–1.200 pacientë me simptomat e lartpërmendura. Të gjithë pacientëve u është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore dhe është aplikuar terapia përkatëse, në përputhje me gjendjen e tyre shëndetësore”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë ndalesë për përdorimin e ujit të pijshëm nga sistemi i furnizimit me ujë të Gostivarit për shkak të dyshimit të bazuar se është i kontaminuar dhe i pasigurt për përdorim. Inspektimi ka përcaktuar se një pompë është instaluar në mënyrë të paligjshme, pa leje, në tubacionin kryesor të rrjetit të furnizimit me ujë, e cila injekton drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar në këtë sistem furnizimi me ujë.
AGJENSIA E USHQIMIT DHE VETERINARISË
“Janë marrë mostra uji për testime laboratorike për të përcaktuar sigurinë e ujit. Për të parandaluar një rrezik më të madh për popullsinë e këtij rajoni, AUV ka lëshuar një ndalim të përkohshëm për përdorimin e ujit të pijshëm derisa të merren rezultatet e testimeve laboratorike për të konfirmuar sigurinë e tij.”
Prokurori Publik i Shtetit Nenad Saveski njoftoi se Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit po ndërmerr veprime hetimore në rastin e ujit të pijshëm në ujësjellësin e Gostivarit, për të përcaktuar nëse ka lidhje me numrin e shtuar të pacientëve me probleme me tretjen.
Nenad Saveski, prokuror publik shtetëror
“Le të mos nxitohemi me kualifikimin ligjor të ngjarjes. Veprimet po ndërmerren sot. Pres gjithashtu informacion nga prokurori publik kompetent, kështu që nuk do të ishte mirë për mua të përcaktoja kualifikimin ligjor në vend të prokurorit kompetent”.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njofton se ekzistojnë baza dyshimi se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi“, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tri pompa në shtratin e ujërave të zeza rrjedhëse, përmes të cilave është injektuar ujë drejtpërdrejt në gypin kryesor të ujësjellësit që furnizon qytetin.
SPB TETOVË
“Ky aktivitet me sa duket është ndërmarrë me qëllim të rritjes së presionit në rrjet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, me çka rrezikohet drejtpërdrejt shëndeti i qytetarëve të Gostivarit. Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale ‘ndotje e ujit të pijshëm’”.
Ndërkohë, TV Shenja kërkoi prononcim edhe nga komuna e Gostivarit, por kryetari ishte i pa qashëm.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

