Ilir Hasani: Opozita shqiptare bllokoi seancën, Ligji për Përfaqësim të Drejtë nuk kalon në këtë formë

Ilir Hasani: Opozita shqiptare bllokoi seancën, Ligji për Përfaqësim të Drejtë nuk kalon në këtë formë

Deputeti i BDI-së dhe Frontit Evropian, Ilir Hasani, ka bërë të ditur se deputetët shqiptarë të opozitës bllokuan vazhdimin e seancës së Kuvendit, duke kërkuar që në votim të vihej Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë.

“Sot në Kuvend, me fjalime procedurale, të gjithë deputetët shqiptarë të opozitës bllokuam vazhdimin e seancës dhe nuk lejuam kalimin në pikat e tjera të rendit të ditës pa u vendosur në votim Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë.

Shumica parlamentare refuzoi ta vendosë këtë pikë në rend dite për votim. Kjo është edhe një dëshmi se nuk kanë shumicën e nevojshme me Badenter – as shumicën e vogël e as atë të madhe – dhe për këtë arsye po përpiqen ta kontrabandojnë ligjin në një moment të papritur, duke shmangur një votim të rregullt dhe transparent.

Përfaqësimi i drejtë nuk është çështje e një partie politike. Është një e drejtë kushtetuese dhe një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit. Pikërisht për këtë nuk do të lejojmë që të trajtohet me manovra procedurale apo kalkulime politike.

Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet demokratik dhe parlamentar për ta mbrojtur këtë kauzë.

Ligji, në këtë formë, nuk kalon”, ka deklaruar Hasani.

MARKETING