(VIDEO) Partitë shkëmbejnë akuza për dështimin e miratimit të Kodit Zgjedhor
Përderisa partitë rrezikojnë marrjen e 4 milion eurove nga Bashkimi Evropian, duke mos arritur konsensus për Kodin Zgjedhor, e cila ishte si pjesë e agjendës reformuese, tani fajësohen mes vete, se cilës parti t’i lënë më shumë pjesë të fajit.
Nga VMRO akuzojnë se Kodi Zgjedhor nuk u miratua sepse LSDM, Levica dhe BDI në ciklin e ardhshëm zgjedhor duan të paraqiten si viktima dhe palë të dëmtuara.
Sinkron: Valentin Manasievski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së
“Si kurrë më parë kishte vend për konsensus por ata zgjodhën obstruksionet. Zyrtarët evropianë thonë se Maqedonia është lidere në Axhendën e Reformave dhe do të marrë më shumë burime financiare nga Plani i Rritjes pikërisht për shkak të zbatimit të reformave. Ata gjithashtu bënë thirrje për një konsensus nga të gjitha partitë politike për të miratuar Kodin Zgjedhor, por LSD, Levica dhe BDI vendosën të bllokojnë përparimin e vendit”.
Edhe VLEN, fajin i’a adreson opozitës.
Driton Sulejmani
“Për momentin ata që po e bllokojnë janë partitë opozitare. Edhe kryeministri edhe ne kemi dhënë deklarata se presim një bashkëpunim më të mirë prej tyre për arsye se e shohim reformën e Kodit Zgjedhor si shumë të rëndësishme për ardhmërinë e këtij vendi”.
Partia Levica ka tezën e saj për këtë situatë. Thotë se Maqedonia nuk humbi 4 milion euro, por VMRO dhe LSDM siguruan 10 milion për propagandë politike.
Levica
“Me skadimin e afatit për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, qeveria po e bind përsëri publikun se Maqedonia ka humbur rreth 4 milionë euro fonde evropiane për shkak të Levicës. Megjithatë, një pasojë shumë më e rëndësishme e dështimit të reformës injorohet plotësisht. Duke e mbajtur në fuqi Kodin Zgjedhor ekzistues, mbetet sistemi i reklamave politike të paguara, përmes të cilit partitë më të mëdha politike do të shpërndajnë rreth 10 milionë euro fonde publike”.
“Mjaftë me gënjeshtrat e juaja”. E kështu ju përgjigjet LSDM-ja. Rrugën evropiane thonë ata, e bllokoi VMRO sëbashku me Levicën.
LSDM
“Ndërsa njëra palë përpiqen ta portretizojnë opozitën si fajtore për humbjen e 4 milionë eurove, kurse të tjerë pretendojnë se të gjithë kanë marrë para për propagandë, e vërteta është shumë më e thjeshtë dhe shumë më serioze. VMRO dhe sateliti i saj, Levica, së bashku bllokojnë rrugën evropiane të Maqedonisë”.
Mosmarrëveshja kryesore mes partive ishte se pushteti kërkonte që të përfshihet votimi elektronik i diasporës, kërkesë e cila nuk pranohej nga opozita sepse sipas tyre kjo gjë hap rrugën për manipulime zgjedhore.
Emine Ismaili /SHENJA/

