(VIDEO) VLEN: Ku përfunduan 9 milionë eurot e BE-së
Driton Sulejmani nga Koalicioni VLEN, ka theksuar se paratë e taksapaguesve evropianë dyshohet se janë keqpërdorur në projektin e kanalizimit në Zajaz, sic tha ai vendlindja e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Sulejmani tha se në takim u diskutua për mbi 9 milionë euro fonde evropiane të humbura, kallëzimin penal të Policisë Financiare, kontratat me kompani vendore dhe dyshimet për përfshirjen e kompanive të lidhura me rrethin familjar të Ali Ahmetit. Ai shtoi se VLEN ka kërkuar të hapet çdo kontratë, pagesë dhe të zbardhet çdo përgjegjësi që lidhet me projektin.
DRITON SULEJMANI-NGA KOALICIONI VLEN
“Ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, bëri të ditur se BE-ja po mbledh dokumentacionin për këtë projekt. Prandaj nuk mjafton më vetëm pyetja se ku përfunduan milionat. Opinioni duhet të dijë edhe kush e raportoi projektin si të përfunduar, mbi cilat dokumente dhe mbi çfarë baze. Sa më shumë po hapet ky skandal që kundërmon korrupsion, aq më shumë po del në sipërfaqe se kemi të bëjmë me një lëmsh që, sa e tërheq, aq më shumë zgjatet”.
Sulejmani theksoi se BDI komunën e kërçovës e ka udhëhequr për tre mandate radhazi dhe se gjatë qeverisjes së tij projekti, i financuar me para të Bashkimit Evropian, sipas tij duhej të përfundonte në vitin 2024, ku kanalizimi nuk ka përfunduar. Sulejmani po ashtu shtoi se VLEN po kërkonë që Prokuroria Publike dhe Policia Financiare ta zgjerojnë hetimin deri në fund dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet evropiane.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

