(VIDEO) Lirimi i Gruevskit nga akuza “për Talir 2”, opozita kritikon, kryeministri e quan veprim të drejtë

(VIDEO) Lirimi i Gruevskit nga akuza “për Talir 2”, opozita kritikon, kryeministri e quan veprim të drejtë

Tani të gjithë e kanë të qartë se përse e larguan Lençe Ristovskan, përse ju morën kompetencat, përse ishin në shënjestër gjykatës dhe prokurorë, të gjithë që kishin lidhje me lëndët ‘Talir 1’ dhe ‘Talir2’.” Kështu akuzoi zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska, pas vendimit të djeshëm për ta liruar nga akuzat ish kryeministrin Nikolla Gruevskin dhe refuzimin e konfiskimit të selisë së VMRO-DPMNE-së.

Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së

Gjyqësori dhe prokuroria nën kontrollin e Mickoskit e shpëtuan Nikolla Gruevskin nga përgjegjësia për rastin ‘Talir 2’ dhe e hoqën konfiskimin e pronës kriminale të VMRO-së. ‘Pallati i Bardhë’, me vlerë prej 14 milionë euro dhe prona tjetër partiake në vlerë prej 2 milion eurosh, janë sërisht në duart e VMRO-së. Kështu është kur në pushtet është organizata kriminale dhe e kontrollon gjyqësorin”.

Vendimin e djeshëm për rastin “Talir2”, kryeministri Hristijan Mickoski e quajti të drejtë, ndërsa për lirimin e Nikolla Gruevskit, të cilit preferoi të mos ja zë as emrin, tha se vendimi për të është si pasojë e ndryshimeve të Kodit Penal të cilat i solli Qeveria e atëhershme LSDM-BDI.

Hristijan Mickoski, kryeministër

Në atë periudhë, VMRO-DPMNE ishte nën persekutim penale dhe të lloj agresioni, do të thoja nga qeveria e kaluar, duke shpikur raste që nuk ekzistojnë Talir 1 dhe Talir 2. Dje gjyqi përfundimisht, sa I përket partisë politike VMRO-DPMNE, sollën vendim i cili është në pajtim me drejtësinë. Sa i përket personit të përfshirë me pjesën tjetër të vendimit, nga ajo që munda ta lexoj, mund të them se bëhet fjalë për pasojat e ndryshimeve të Kodit Penal, të sjella nga Qeveria e kaluar LSDM dhe BDI”.

Ai shtoi se si rezultat i atyre ndryshimeve, shumë amnisti politike ka pasur dhe do të ketë.

Lirimi nga akuzat për Gruevskin erdhi në rigjykimin e rastit “Talir 2” për ndërtimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së. Në gjykimin e parë, Gruevski u dënua me gjashtë vjet burg. Prokurorja e këtij rasti, Lençe Ristova në prill të këtij viti dha dorëheqje nga posti. Paraprakisht kishte përplasje verbale mes saj dhe kryeministrit. Gjithashtu, Këshilli i Prokurorëve Publikë refuzoi ankesën e saj për sulm ndaj integritetit dhe pavarësisë profesionale, ndërsa Prokuroria Publike e Shtetit vendosi t’ia tërheqë autorizimin për përfaqësim në raste kyçe në fazë përfundimtare siç ishin lëndët “Talir 1” dhe “Talir 2”.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

 

MARKETING