MPB: Zbardhet vrasja e mjekut në Autokomandë, ndalohet çifti nga Shkupi

MPB: Zbardhet vrasja e mjekut në Autokomandë, ndalohet çifti nga Shkupi

Zyrtarët policorë të SPB Shkup kanë privuar nga liria M.V. (65) dhe bashkëshorten e tij S.V. (59), të dy nga Shkupi, nën dyshimin e bazuar se janë të përfshirë në vrasjen e A.T., e cila dyshohet se ka ndodhur më 21 mars 2024 në një parking në lagjen Autokomandë të Shkupit.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga policia, si dhe në bazë të urdhrave të lëshuara nga prokurori publik, janë siguruar prova dhe është ngritur kallëzim penal ndaj M.V. për veprën penale “vrasje” sipas nenit 123 paragrafi 1 të Kodit Penal, ndërsa ndaj S.V. për veprën penale “ndihmë dhe inkurajim në kryerjen e një krimi”.

Sipas hetimeve, S.V. dyshohet se ishte marrë vesh me A.T. që të takoheshin në parkingun në Autokomandë dhe më pas kishte hipur në automjetin e tij. Pak më vonë, në vendngjarje dyshohet se ka mbërritur M.V., i cili e ka nxjerrë A.T. nga automjeti dhe i ka shkaktuar nëntë plagë me thikë, si pasojë e të cilave ai ka humbur jetën.

Nga MPB bëjnë të ditur se pas ngjarjes, bashkëshortët dyshohet se e kanë vendosur trupin e viktimës në automjet, pas së cilës M.V. e ka drejtuar makinën drejt parkingut të Poliklinikës Zhelezara, ku trupin e të ndjerit e ka transferuar në vendin e shoferit.

Më pas, sipas policisë, i dyshuari ka fshirë gjurmët nga automjeti duke përdorur një substancë të caktuar, pas së cilës të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.

MARKETING