Zajkova: Propozimi për votim elektronik vetëm për diasporën është kontradiktor
Kryetarja e Partisë Liberale Demokratike (PLD), Monika Zajkova, e ka cilësuar si kontradiktor propozimin për votim elektronik vetëm për diasporën, ndërsa një mundësi e tillë të mos vlejë për qytetarët brenda vendit.
Në një paraqitje në “Radio Lider”, Zajkova tha se kjo qasje përfaqëson politika të papajtueshme mes tyre.
“Për mua, e gjithë kjo tingëllon si një kontradiktë politike. Ndoshta termi që përdora nuk është më i përshtatshmi, por e kam fjalën për situatën kur thuhet një gjë dhe veprohet në drejtim krejtësisht të kundërt, duke pretenduar se politikat janë konsistente”, deklaroi ajo.
Zajkova rikujtoi edhe iniciativën e mëparshme të shumicës qeverisëse për kufizimin e shtetësisë së dyfishtë për deputetët, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e kësaj politike.
“Le të kthehemi disa muaj prapa. A nuk propozoi shumica qeverisëse një ligj që synonte të ndalonte shtetësinë e dyfishtë për deputetët, me arsyetimin se duhej të dëshmohej se ata nuk mbanin pasaporta të dyfishta? Tani dëgjojmë se nuk ka zgjidhje për këtë çështje”, tha ajo.
Sipas saj, ekziston një kundërthënie edhe në raport me diasporën.
“Nga njëra anë thuhet se nuk do të ketë shtetësi të dyfishtë, ndërsa nga ana tjetër diasporës i kërkohet të marrë pjesë në zgjedhje dhe të kontribuojë në procesin politik. Por, nëse dikush nga diaspora dëshiron të kandidojë për funksion publik, atëherë i pamundësohet kjo, pikërisht sepse shumë prej tyre kanë shtetësi të dyfishtë”, u shpreh Zajkova.
Ajo kërkoi që çështjet të zgjidhen me radhë dhe me standarde të njëjta për të gjithë.
“Nëse do të miratohet një ligj për shtetësinë e dyfishtë, ai duhet të vlejë edhe për zyrtarët qeveritarë. Më pas duhet të diskutojmë nëse votimi elektronik do të zbatohet për të gjithë qytetarët apo vetëm për diasporën. Nuk mund t’u kufizosh të drejtën pasive për t’u zgjedhur, ndërsa njëkohësisht t’u thuash se u garanton vetëm të drejtën aktive të votës”, deklaroi kryetarja e PLD-së.

