Spanja i jep leksion Francës dhe siguron finalen e Kupës së Botës
Spanja është finalistja e parë e Botërorit, pasi ka siguruar një fitore të rëndësishme 0-2 ndaj Francës në gjysmëfinale. Skuadra e drejtuar nga De La Fuente zhvilloi një paraqitje të pjekur dhe arriti të kontrollojë momentet vendimtare të sfidës.
Goli i parë erdhi në pjesën e parë, pas një penalltie të shkaktuar në mënyrë naive nga Digne. Nga pika e bardhë u tregua i saktë Oyarzabal, i cili mposhti portierin Maignan dhe i dha avantazhin “La Roja”-s.
Franca tentoi të reagojë dhe kërkoi të rikthehej në lojë, por hasi vështirësi përballë organizimit dhe disiplinës së spanjollëve. Në fundin e fraksionit të parë, Spanja iu afrua edhe golit të dytë, duke krijuar momente tensioni dhe duke shkaktuar emocione të forta në stadium.
Në pjesën e dytë, spanjollët vulosën kualifikimin drejt finales me golin e Porros. Franca nuk arriti të ndryshojë fatin e takimit, ndërsa Spanja feston një tjetër hap të madh drejt trofeut.
Gjysmëfinalja tjetër e Botërorit do të luhet të mërkurën, ku do të përballen Anglia dhe Argjentina për të përcaktuar finalisten e dytë.

